Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar për vendosjen e një tarife prej 35 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia në Shtetet e Bashkuara. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 gusht 2025.

Trump e ka bërë publike këtë masë përmes një letre drejtuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilën e ka shpërndarë edhe në rrjetin e tij social “TruthSocial”.

Në letër, Trump thekson se marrëdhëniet tregtare midis SHBA-së dhe Serbisë nuk kanë qenë reciproke.

“Shtetet tona kanë pasur raporte të mira tregtare, por fatkeqësisht ato kanë qenë larg nga reciprociteti,” ka shkruar Trump.

Ai ka paralajmëruar se nëse Serbia vendos t’i rrisë tarifat ndaj produkteve amerikane, atëherë tarifat ndaj produkteve serbe do të dyfishohen, duke arritur në 70 për qind.

Tarifat ndaj Serbisë dhe disa shteteve të tjera ishin paralajmëruar qysh në prill, por zbatimi i tyre ishte shtyrë për 90 ditë.

Ndërkohë, edhe Kosova është përfshirë në listën e shteteve që do të përballen me tarifa nga SHBA. Trump ka paralajmëruar një tarifë prej 10 për qind ndaj produkteve kosovare – një masë që është vendosur për shumicën e vendeve, përjashto ato me të cilat SHBA ka arritur marrëveshje për reciprocitet. Deri tani, nga kjo tarifë janë liruar vetëm Britania dhe Vietnami.

Pas këtij paralajmërimi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se po përgatit një ligj për heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane, si hap për të ruajtur raportet me SHBA-në.