Trump vendosi veto planit izraelit për të vrarë udhëheqësin suprem të Iranit, thonë zyrtarë amerikanë
Presidenti Donald Trump ka vendosur veto ndaj një plani të Izraelit për të vrarë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në ditët e fundit, kanë thënë për agjencinë Reuters dy zyrtarë amerikanë të dielën. “E kanë vrarë iranianët ndonjë amerikan deri tani? Jo. Derisa ta bëjnë këtë, nuk po flasim as për ta goditur […]
Presidenti Donald Trump ka vendosur veto ndaj një plani të Izraelit për të vrarë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në ditët e fundit, kanë thënë për agjencinë Reuters dy zyrtarë amerikanë të dielën.
“E kanë vrarë iranianët ndonjë amerikan deri tani? Jo. Derisa ta bëjnë këtë, nuk po flasim as për ta goditur udhëheqjen politike”, ka thënë njëri nga burimet, një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se zyrtarët më të lartë amerikanë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët izraelitë që nga momenti kur Izraeli nisi një sulm masiv ndaj Iranit, me qëllim për të ndalur programin e tij bërthamor.
Ata thanë se izraelitët kishin raportuar se kishin një mundësi për të vrarë liderin më të lartë iranian, por Trump i kishte penguar që ta realizonin planin.
Zyrtarët nuk saktësuan nëse ishte vetë Trump që ua kishte dhënë mesazhin izraelitëve. Por Trump ka qenë në komunikim të shpeshtë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
I pyetur për raportimin e Reuters, Netanyahu, në një intervistë të dielën për Fox News në emisionin “Special Report With Bret Baier”, tha: “Ka kaq shumë raporte të rreme për biseda që kurrë nuk kanë ndodhur, dhe nuk do të futem në këtë temë.”
“Por mund t’ju them, mendoj se ne bëjmë atë që duhet të bëjmë, dhe do ta bëjmë atë që duhet. Dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara e dinë çfarë është e mirë për Shtetet e Bashkuara”, tha Netanyahu.
Trump vazhdon të shpresojë për rifillimin e bisedimeve ndërmjet SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor të Teheranit. Bisedimet që ishin planifikuar të mbaheshin të dielën në Oman u anuluan si pasojë e sulmeve.
Trump i tha Reuters të premten se “ne i dinim të gjitha” rreth sulmeve izraelite./Reuters















