Korrespondentja e RTK-së, në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, ka thënë se raportimet se Franca e ka kushtëzuar liberalizimin e vizave nuk qëndrojnë.

Në televizionin publik të Kosovës, Tuhina, tha se vërejtjet e Francës nuk janë kushtëzime që do ta bllokonin procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Franca kërkon që marrëveshje riatdhesimi të ketë Kosova me shtete tjera, dhe është shumë e rëndësishme siç merret vesh përshtatja e regjimit të vizave njëjtë me BE-në. Kjo është pak më problematike për Kosovën, marrë parasysh se Kosova, ka regjim pa viza me Turqinë, ndërkohë që Turqia ka regjim të vizave me BE-në. Nëse kjo gjë kërkohet atëherë Kosova, detyrohet ta bëjë atë gjë”, ka thënë ajo.

“Vërejtjet e Francës nuk do të thonë bllokadë, sepse siç thash më herët, është hera e parë që asnjë shtet nuk është pozicionuar kategorikisht kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Mbetet të shihet sa insistuese do të jetë Franca në këto kërkesa”, ka vijuar ajo.

Tuhina ka bërë të ditur, se kryesia çeke ka kërkuar nga të gjitha vendet anëtare të KE-së që nëse kanë vërjetje t’i dorëzojnë me shkrim deri në 21 tetor.

Mbledhja e dytë e Këshillit Evropian pritet të mbahet me nëntë nëntor.