“Ndoshta e tërhoqi origjina e tij dhe për këtë iu bashkua ushtrisë serbe… Ai ishte me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina”, thotë Janko Sheshllija, ish-pjesëtar i kësaj njësie, i cili e mohon ekzistencën e turistëve që qëllonin mbi banorët e Sarajevës për para.
Megjithatë, kishte vullnetarë të huaj. Sheshllija thotë se ata kishin ardhur për arsye ideologjike për të luftuar.
“Kishte vullnetarë nga Rusia, Ukraina dhe nga vendet e Lindjes. Madje, ishte edhe një francez, nëse doni shembull konkret, një francez i vërtetë, jo me origjinë serbe”, thotë ai.
Fakti që Ribiq qëndroi më shumë se një fundjavë në Sarajevë, konfirmohet edhe nga pamjet e kapjes së pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së si pengje në Pale, si dhe nga një proces gjyqësor që u zhvillua më vonë në Kanada.
Për shkak të lidhjes së paqeruajtësve me shtyllat elektrike, për të parandaluar sulmet e planifikuara të NATO-s mbi pozicionet serbe, Ribiq u dënua në Kanada me tre vjet burg.
Por, nuk ishte vetëm Ribiq me pasaportë kanadeze që ishte në pozicionet serbe mbi Sarajevë.
Emir Ramiq, drejtor i Institutit për Kërkime Gjenocidi në Kanada, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka informacione se disa persona ishin të përfshirë.
“Kemi informacione se bëhej fjalë për fundjava, që do të thotë të premten, të shtunën, të dielën… Gjithashtu, kemi informacione se qytetarë kanadezë që aktualisht nuk jetojnë në Kanada, që janë diku tjetër, kanë marrë pjesë në këtë”, thotë Ramiq.
Ai shton se ka informacione se edhe gjyqësori kanadez do të fillojë veprime përgatitore hetimore, në lidhje me këto udhëtime.
Serbë vendas dhe të huaj në Gërbavica
Personi i vetëm i përmendur në kontekstin e “safarit”, Nicholas Ribiq, njihet nga Sllavko Alleksiq, një “vojvodë çetnik” dhe figurë qendrore gjatë luftës në lagjen e okupuar të Sarajevës, Gërbavica, mbi të cilën ndodhej një nga bazat snajperike në Varrezat Hebraike.
Alleksiq drejtonte një njësit paraushtarak të quajtur “Njësiti Çetnik i Sarajevës së Re”, i cili më vonë u integrua në Ushtrinë e Republikës Sërpska.
Kontradiktor edhe pas luftës, ai u dënua për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, për përçarje dhe për jotolerancë.
Alleksiq thotë për Radion Evropa e Lirë se njësia e tij përfshinte të huaj, por jo ata që përmenden sot.
“Kishim rusë, rreth pesëdhjetë… Ata ishin vullnetarë, jo vrasës. Sa u përket këtyre burrave të pasur që vinin… ne nuk pamë askënd, dhe askush nuk kontaktoi komandën tonë ose mua personalisht”, thotë ai.
Ndryshe nga Alleksiqi, në Hagë më 2007 foli John Jordan, një zjarrfikës amerikan, i cili gjatë luftës vizitonte pozicionet e forcave serbe mbi Sarajevë.
Ai tha se aty kishte parë “vrasës safari” të huaj dhe kishte dëgjuar se fëmijët dhe gratë e bukura ishin trofetë më të kërkuar.
Edhe pse nuk e kishte parë asnjërin prej tyre duke qëlluar, ai kishte vëzhguar se si trajtoheshin dhe lëviznin rreth pozicioneve të njohura snajperike.
“Ishte krejt e qartë se personi që udhëhiqej nga njerëzit që e njihnin terrenin, ishte plotësisht i panjohur me vendin, dhe mënyra se si ishte i veshur dhe armët që mbante, më bënë të mendoj se bëhej fjalë për ‘turist gjahu’. Ky është një term që e dëgjova për herë të parë në Bejrut, ku pamë se e njëjta gjë ndodhte rreth linjës së gjelbër”, tha Jordan atëkohë.
Ish-zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Florence Hartmann, thotë për Radion Evropa e Lirë se ata dinin për këtë fenomen, por jo për mënyrën se si organizohej.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të fillojë një hetim gjyqësor dhe të zbulohet se kush ishin organizatorët”, thotë ajo.
Vuçiq në fushën e betejës rreth Sarajevës?
Në nëntor, gazetari kroat, Domagoj Margetiq, i përcolli prokurorisë në Milano – e cila po kryen hetime për “snajperistët e fundjavës” – informacione se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë pjesë ose ndihmuar në “turizmin e snajperistëve”.
Margetiq publikoi fotografi, në të cilat Vuçiq ishte i pranishëm në një nga pozicionet serbe në Sarajevë, prej ku, sipas dëshmitarëve, shtetas të huaj dhe forcat serbe qëllonin dhe vrisnin civilë.
Vuçiq i hodhi poshtë akuzat dhe paralajmëroi padi kundër medias që i publikoi këto informacione.
Duke folur për Televizionin Informer, Vuçiq tha se nuk kishte dëgjuar kurrë për një “safari” të tillë.
“… por kjo nuk është e rëndësishme. Unë nuk kisha pushkë. Madje, edhe kur shkova aty dhe pyeta nëse mund të qëndroja me ta, më thanë ‘vogëlush, kthehu, na duhet një gazetar që di anglisht’”, tha Vuçiq.
“A do të qëlloj dikë dhe ta xhirosh?”
Gazetarët dhe fotoreporterët e huaj, gjatë pothuajse gjithë kohës së luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, nga viti 1992 deri në fund të vitit 1995, kishin mundësi të qëndronin herë pas here në pozicionet e forcave serbe rreth Sarajevës.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa prej tyre, por askush nuk dëshmoi se kishte parë ndonjë të huaj që kishte paguar për të shkuar në Sarajevë dhe për të qëlluar.
Peter Kullmann shkoi për herë të parë në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992 si fotograf i agjencisë Reuters.
Ai kujton se në dimrin e atij viti, diku rreth Krishtlindjeve, ishte vetë shënjestër e një snajperisti, teksa bashkë me gazetarin e Reutersit, Kurt Schork, po përpiqeshin të largoheshin nga baza e OKB-së në Sarajevë.
“Po ecnim nëpër një parking, kur plumbi i snajperit kaloi mes meje dhe Kurtit, mes kokave tona. Ishte i destinuar për njërin prej nesh, por patëm fat”, kujton ai për Radion Evropa e Lirë.
Më vonë, bashkë me gazetarin e gazetës New York Times, John Burns, Kullmann vizitoi për herë të parë një nga pozicionet snajperike të forcave serbe në Varrezat Hebraike.
Aty, krejt papritur, dëgjoi gjermanishten e tij amtare. Ishin njerëz me prejardhje nga Ballkani, që jetonin dhe punonin në qytete të Gjermanisë.
Ai kujton sidomos ata që vinin nga Shtutgarti – vendlindja e tij – të cilët pas përfundimit të punës të premten, niseshin drejt rrethimit të Sarajevës.
“Vinin në grupe, direkt pas punës. Autobusi i sillte gjatë natës në Sarajevë. Qëndronin dy ditë në vijën e frontit dhe pastaj ktheheshin natën, për të qenë në vendet e punës të hënën në mëngjes. Njiheshin si çetnikët e fundjavës”, thotë Kullmann për Radion Evropa e Lirë.
Ai kujton se ata mbanin armë dhe ishin të gatshëm të qëllonin.
“Ndodhte që dikush prej tyre më pyeste nëse doja të qëllonte, dhe nëse mund të xhiroja me pajisjet e mia. Sigurisht, u thosha jo, mos e bëni… Nuk duhej t’i zemëroje ata njerëz, por duhej të shpikje gjithmonë një arsye pse nuk duhej ta bënin”, kujton Kullmann.
Snajperist i Ushtrisë së Republikës Sërpska në Varrezat Hebraike në Sarajevë. Autori i fotografisë, Peter Kullmann, ia siguroi atë Radios Evropa e Lirë ekskluzivisht për qëllimet e artikullit në lidhje me aktivitetin e snajperistëve në Sarajevë.
Kullmann thotë për Radion Evropa e Lirë se ndaj tij dhe Burnsit qëlluan kur zbritën nga Varrezat Hebraike dhe hynë në Sarajevë.
Kur u kthyen më vonë, pyetën përse automjeti i tyre, i shënuar qartë me “New York Times”, ishte qëlluar menjëherë pas largimit nga pozicionet e snajperistëve.
Ata u përgjigjën: “Qëlluam sepse na dukej argëtuese”.
Fotografi italian, Mario Boccia, që ka vizituar pothuajse të gjitha zonat e luftës në ish-Jugosllavi, përfshirë Bosnje dhe Hercegovinën, tregon se nuk ka hasur turistë lufte nga Italia, sepse do t’i kishte raportuar menjëherë. Por, ka takuar të huaj të tjerë në Bosnje.
“Në Grbavicë kam takuar dhe fotografuar një grek dhe një person që ka thënë se vjen nga SHBA-ja. Të dy ishin të motivuar ideologjikisht dhe nuk e kishin problem të prezantoheshin si luftëtarë të huaj. Amerikani tha se ishte nip i çetnikëve që ishin larguar nga Jugosllavia pas Luftës së Dytë Botërore. Greku e quante veten ‘nazist’ dhe thoshte se luftonte kundër myslimanëve dhe hebrenjve”, thotë Boccia.
“Çfarë lloj njerëzish janë këta?”
“Çfarë lloj njeriu është ai që qëlloi vajzën time 3-vjeçare?”, pyeste më 7 maj, 1992, Rifat Bajroviq, babai i Senidës, e cila u plagos nga një snajper në lagjen Hrasno-Bërdo të Sarajevës, ku një vit më vonë u arrestua një vullnetar serb nga Paraqini.
Sipas deklaratës së tij, “të huajt vinin në Sarajevë për të vrarë njerëz”.
Sikurse Rifati atëkohë, edhe Elvedini sot vazhdon të përballet me pyetje dhe pasojat e këtij akti monstruoz.
“Vij thjesht për ta kuptuar atë ndjenjë që ai e kishte në atë moment. Më së shumti do të doja ta shihja këtu. Do ta pyesja se çfarë po mendonte ndërsa po qëllonte drejt meje… Nuk e di a i vjen keq apo është i kënaqur që unë mbeta gjallë, që shpëtova”.
Prokuroria në Milano pritet të njoftojë publikun për rezultatet e hetimit në mars të vitit 2026. Nëse ngre aktakuzë dhe vërteton fajësinë, kjo do të ishte hera e parë në Evropë që dikush gjykohet për vrasjet e civilëve me snajperë në Sarajevë.
Ndërkohë, drejtësia në Bosnje e Hercegovinë është duke verifikuar pretendimet, por, deri më tani, asnjë snajperist nuk është gjykuar për vrasjet e civilëve, veçanërisht të fëmijëve në Sarajevë.
Rrethimi i Sarajevës zgjati 1.425 ditë. Sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin kudo dhe në çdo kohë të ditës apo natës, sipas vendimeve të Gjykatës në Hagë.
Stanisllav Galliq, ish-komandant i Korpusit Sarajevë-Romanija, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa kolegu i tij, Dragomir Millosheviq, mori 29 vjet burg për rolet e tyre në rrethimin e qytetit për 44 muaj.
Dënimet me burgim të përjetshëm të Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit lidhen gjithashtu me terrorizimin e civilëve të Sarajevës gjatë luftës.
Në drejtësinë vendase, deri tani janë gjykuar disa persona për krime të kryera në zonat e rrethuara të qytetit.