Twitter do të shkurtojë vendet e punës pas marrjes së kompanisë nga Elon Musk

Pasi që multimiliarderi Musk do të jetë shefi ekzekutiv i Twitter, ka spekulime se ky i fundit planifikon të ulë numrin e punonjësve të kompanisë duke ulur kostot mujore

Twitter ka bërë të ditur se do të informojë stafin e tij të premten nëse do të pushohen nga puna pas marrjes së firmës nga Elon Musk.

Në një email të brendshëm, kompania e mediave sociale tha se shkurtimet janë një përpjekje për të vendosur Twitter në një “rrugë të shëndetshme”.

Firma shtoi se zyrat e saj do të mbylleshin përkohësisht dhe do të pezullohej qasja e tyre në sistem.

“Ne do të kalojmë përmes procesit të vështirë të reduktimit të fuqisë sonë punëtore globale të premten,” tha Twitter në email  gjersa theksoi se “e kuptojmë se kjo do të ndikojë në një numër individësh që kanë dhënë kontribute të vlefshme në Twitter, por ky veprim është fatkeqësisht i nevojshëm për të siguruar suksesin e kompanisë përpara”.

I gjithë stafi do të marrë një email me temën “Roli juaj në Twitter” deri në orën 09:00, të premten. Punëtorët që nuk preken do të njoftohen përmes emailit të kompanisë së tyre, sipas Twitter.

“Duke pasur parasysh natyrën e fuqisë sonë të shpërndarë të punës dhe dëshirën tonë për të informuar individët e prekur sa më shpejt që të jetë e mundur, komunikimi për këtë proces do të bëhet me email”, tha Twitter, transmeton BBC.

Ka spekulime se gjysma e 8000 vendeve të punës në Twitter janë në pikëpyetje. Platforma po lufton për të bërë një fitim. Një mënyrë për të rregulluar problemin është duke bërë një goditje në faturën e pagave.

Simon Balmain, një menaxher i lartë i komunitetit për Twitter në Mbretërinë e Bashkuar, i tha BBC-së se ai besonte se ishte pushuar nga puna, sepse ishte shkëputur nga laptopi i tij i punës dhe programi i mesazheve “Slack”.

“Të gjithë morën një email që thoshte se do të kishte një reduktim të madh të numrit të të punësuarve, dhe më pas rreth një orë më vonë, njerëzit filluan t’i fshinin laptopët e tyre nga distanca dhe të anulonin aksesin në Slack dhe Gmail,” tha ai.

Një tjetër punonjës i Twitter tha se ai po priste me padurim që të mbërrinte një email, duke konfirmuar nëse ai kishte ende një punë. Ai tha se ndoshta do të qëndronte deri vonë për të pritur mesazhin.

Bloomberg, duke cituar burime të paidentifikuara, sygjeroi se disa pjesëtarve të stafit të lartë iu kërkua të bënin lista të punonjësve që do të shkurtoheshin në ekipet e tyre.

Platforma e kriptomonedhës “Binance” investoi në Twitter si pjesë e marrjes së Musk. Më parë, Changpeng Zhao, shefi ekzekutiv i saj, tha se “një forcë punëtore më e hollë do të kishte më shumë kuptim”.

Ulja e kostos pason kritikat ndaj përpjekjeve të Twitter për të mbledhur para duke propozuar të tarifohen 8 dollarë në muaj për një shenjë blu “të verifikuar”.

Përveç distinktivit të verifikimit, ata që paguajnë mund të promovohen më gjerësisht tweet-et e tyre dhe të shohin më pak reklama.

Musk ka postuar në Twitter për planin e tij: “Ne duhet të paguajmë faturat disi”.

Twitter nuk ka bërë fitim për disa vite dhe numri i përdoruesve të tij ka mbetur mjaft statik në rreth 300 milionë në muaj.

Shumë ekspertë sugjerojnë se Musk, njeriu më i pasur në botë, ka paguar më shumë për kompaninë, duke pasur parasysh kushtet aktuale ekonomike dhe vlerat e ulëta të shumë aksioneve të teknologjisë.

Multimiliarderi do të jetë shefi ekzekutiv i Twitter pasi bleu firmën javën e kaluar në një marrëveshje prej 44 miliardë dollarësh (39.3 miliardë paund).

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika