Pas disa raundeve votimi në konklavën e mbledhur në Vatikan, kardinalët e Kishës Katolike kanë zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut.

Të enjten pasdite, pak minuta pas orës 18:00, tymi i bardhë që doli nga oxhaku i Kapelës Sistine konfirmoi për mbarë botën se një Papë i ri është zgjedhur.

Zgjedhja erdhi pas raundit të tretë të votimit, pasi dy votimet paraprake të mbajtura më herët gjatë 8 majit nuk rezultuan me ndonjë emër fitues. Tymi i zi që doli atëherë tregoi për mungesën e një konsensusi të plotë ndërmjet 115 kardinalëve me të drejtë vote që ishin mbledhur në konklavë.

Tymi i bardhë është një nga simbolet më të njohura të Kishës Katolike për të komunikuar me publikun jashtë Vatikanit, dhe me shfaqjen e tij, dhjetëra mijëra besimtarë të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit shpërthyen në duartrokitje dhe lutje, në pritje të shpalljes së emrit të Atit të ri të Shenjtë.

Ende nuk është bërë e ditur se cili kardinal është zgjedhur në postin më të lartë të Kishës Katolike.

Ndërsa, tashmë që është konfirmuar zgjedhja e Papës së ri, procesi ceremonial po vazhdon me ritme të shpejta. Ati i Shenjtë i sapozgjedhur është çuar në “Dhomën e Lotëve” – një hapësirë e vogël pranë Kapelës Sistine – ku do të veshë rrobat e bardha papnore.

Në vijim, njëri nga kardinalët më të lartë do të dalë në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit për të shpallur fjalët: “Habemus Papam” – “Kemi një Papë”. Ai do të prezantojë Papën e ri me emrin e tij të zgjedhur, i cili më pas do të japë bekimin e tij të parë për botën.