U arrestua në Kosovë, u la të mbrohet në liri – kosovari arrestohet prapë në Maqedoni të Veriut
Një shtetas i Kosovës, identifikuar si K.B., është arrestuar në fillim të muajit shtator nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në bazë të kërkesës nga Interpol-i i Gjermanisë. Ai dyshohet se, së bashku me disa persona të tjerë, ka krijuar një Qendër të Thirrjeve (Call Center) dhe ka mashtruar shtetas gjerman për të fituar financa […]
Një shtetas i Kosovës, identifikuar si K.B., është arrestuar në fillim të muajit shtator nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në bazë të kërkesës nga Interpol-i i Gjermanisë.
Ai dyshohet se, së bashku me disa persona të tjerë, ka krijuar një Qendër të Thirrjeve (Call Center) dhe ka mashtruar shtetas gjerman për të fituar financa të paligjshme.
Prokuroria në Kosovë iu kishte ngritur akuza për “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale Mashtrimi dhe veprën penale Hyrja në sistemet kompjuterike”.
Kujtojmë se K., B., ishte arrestuar më parë nga autoritetet kosovare në prill të këtij viti, duke qëndruar për rreth tre muaj në paraburgim dhe një muaj në arrest shtëpiak.
Pas përfundimit të masës së arrestit shtëpiak, ai u la i lirë dhe ishte duke u mbrojtur në liri.
Megjithatë, arrestimi i tij i fundit nga autoritet e Maqedonisë së Veriut ka ngjallur pyetje mbi ligjshmërinë e procedurave.
Kështu, Dukagjini ka kontaktuar me prokuroren e rastit në Prishtinë e cila ka thënë se “nuk flet me gazetarë” dhe se të njëjtës i janë dërguar pyetjet lidhur me rastin.
Pyetjeve të dërguara i është përgjigjur Udhëheqësja e Zyrës për Komunikim Publik, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se kjo çështje penale në Kosovë ka filluar të trajtohet sipas kërkesës për ndihmë juridike ndërkombëtare të autoriteteve Gjermane. Për ketë arsye, fletarresti kundër të pandehurit Bunjaku ka mbetur në fuqi në Gjermani. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet Gjermane dhe procedura penale zhvillohet paralelisht në këto dy shtete, sepse edhe atje zhvillohet hetimi kundër disa pjesëtarëve të grupit të njëjtë kriminal.
Rasti nuk është neglizhuar nga autoritetet e Kosovës. I pandehuri ka qenë në paraburgim një kohë dhe është liruar me vendim të gjykatës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është në pritje të provave nga Gjermania, pasiqë të gjitha provat gjenden atje – viktimat janë atje, atje janë kryer ekspertizat, transfere etj. Autoritetet gjermane janë njoftuar për arrestimin e të pandehurit dhe kanë ushtruar kërkesë për ekstradimin e tij“, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Pavarësisht kësaj, mbetet e dyshimtë se pse K. B. po qëndron në paraburgim në Maqedoni të Veriut përderisa është e ditur ligjërisht se nuk mund të jenë dy procedura njëkohesisht për të njëjtën vepër penale.
Dukagjini ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Drejtësisë, përkatësiosht tek Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombtarë, Gazmend Çitaku, lidhur me proceduren e K.B. përkatësisht se a ka shkuar përmes këtij departamenti, bashkëpunimi i prokurorisë së Prishtinës me atë të Karlsruhe dhe a ka pasur njohuri ky departament se pas arrestimit të tij në Kosovë, a është njoftuar Gjermania për të hequr fletarrestin, por deri në publikimin e lajmit nuk kemi pranuar përgjigje.
Gjithashtu, Dukagjini ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut se a janë kontaktuar nga autoritetet e Kosovës lidhur me arrestimin e shtetasit K.B., por që deri në publikimin e lajmit nuk janë përgjigjur.
Ky rast lë në pikëpyetje se sa është në gjendje shteti i Kosovës me i mbrojtë të drejtat e qytetarëve të saj, sidomos kur ka një procedurë në zhvillim ndërshtetërore për shtetasit e saj.















