Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për Dibran Hoxhaj, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, kohë e cila do të llogaritet prej momentit të arrestimit 03.01.2022, dhe mund të zgjasë deri më datën 03.02.2023 ndaj të pandehurve.

Në komunikatën e Gjykatës së Prizrenit, bëhet e ditur se gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, pasi sipas tyre, kjo është e domosdoshme.

“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: I pandehuri D.H., më datë 03 janar rreth orës 04:00 e mëngjesit, në afërsi të lokalit të tij ‘K….C….’, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren – Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C., duke vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh., të cilin e plagos dhe duke vënë në rrezik edhe jetën e dëmtuarit A.B., që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshjeje paraprake që kishin, pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin ‘K……C……..,’, me të dëmtuarit, ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “……..” ………., me targa Angleze, për tu larguar, në parkingun e lokalit paraqitet i dyshuari D.H., i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C., i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh., , i cili kishte qenë në ulësen e përparme, si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C., ndërron jetë rrugës për në spital të Kukësit, derisa R.Sh., nga plagët e marra, nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Hoxhaj kishte pasur në posedim një armë zjarri, ndërsa të pandehurit ishin pjesëmarrës në rrahjen në lokal.

“I pandehuri D.H., Se deri më datën 03 Janar 2023, e ka pasur në posedim një armë zjarri, deri më tani i tipit të panjohur,  të cilën e përdor duke shtënë – përshkuar si më lart, I pandehuri D.H., më datë dhe kohë të përshkruar si më lart, e heq pajisjen e DVnga lokali i tij ‘K……C……’, ku kanë nisur mosmarrëveshja e përshkuar si të lartcekura, me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të incizimeve në lokal që do të shërbenin në procedurën penale. Të pandehurit A.V., B.M., J:B., K.G., dhe E.A., më datë 03 janar rreth orës 04:00 të mëngjesit, në lokalin ‘K……C……’, marrin pjesë në rrahje pronë e të pandehurit D.H., e cila gjendet në rrugën magjistrale Prizren – Zhur, e cila rezulton me shkaktimin e lëndimeve të rënda për të dëmtuarin R.Sh”, thuhet në njoftim.

Gjykata në fjalë ka marrë parasysh faktin se me lënien në liri, të pandehurit mund të fshihen apo të arratisen me qëllim të shamngies nga përgjegjësia penale, duke cilësuar paraburgimin si një masë të domosdoshme dhe të arsyeshme.

Ndryshe, të martën e 3 janarit, një shtetas i Shqipërisë ka mbetur i vrarë, pasi dyshohet se u plagos nga Dibran Hoxha, në oborrin e lokalit “Kobra City”, që është pronë e Hoxhës.

Pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxha, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e 31- vjeçarit nga Kukësi i Shqipërisë, është emër i njohur për organet e drejtësisë në Kosovë.

Hoxha i cili është i njohur me pseudonimin “Kobra”, është dënuar, gjithsej, 16 herë për vepra të ndryshme penale.

Ai ishte dënuar për lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë së huaj e kështu me radhë.