Inspektorët i erdhën për t’ia ndalur punën.

“Çfarë zbatimi po doni me e bo, unë nuk po ju kuptoj”

Pronarit të biznesit Eida dhe Patroni, Habib Morina nuk po e mirëpret këtë vendim.

“Unë kisha thanë që mos me e ndal punën njëher. Ne e kemi bërë padinë, tash ju njofton ky. Këtu i kemi tri objekte, dyve na kanë lëshu vendimin për me e ndal punën, tjetrit jo. Nuk është e udhës që me ardhë një ministër e me thanë rrënojeni objektin ose ndaleni punën”, ka thënë Habib Morina – Pronat i biznesit “Eida&Patroni”.

Megjithatë, inspektorët janë të vendosur, që të vazhdojnë aksionin.

“Ne si mision e kemi që këtë vendim me e zbatu. Ju edhe avokatin e keni, të drejtën e keni që me e ndjekë rrugën ligjore, jemi shtet ligjor. Ministria e ka nxjerrë një vendim, i mirë i keq, vendimi tash është marrë, ministria mbanë përgjegjësi”.

Biznesit iu vunë shiritat, pasi është i ndërtuar në pronë të ministrisë së Bujqësisë. Kontrata për shfrytëzim të pronës ka skaduar në fund të vitit 2023.

Për shfrytëzimin e kësaj prone e cila ndodhet në rrugën magjistrale Prishtinë – Fushë Kosovvë, biznesmeni Morina kishte paguar vetëm 500 euro qera mujore.

Mirëpo avokati i tij, Naim Spahiu thotë se investimi i bërë ndër vite është shumë më i madh.

“Para investimeve tona kjo ishte një tokë e pashfrytëzueshme. Mirëpo ne kemi bërë investime që kapin vlerën e 1.5 milionë eurove, të cilat u investuan për zhvillimin e këtij aktiviteti”, ka thënë Spahiu.

Fatin e njëjtë e kishte edhe biznesi Liria. Edhe atij iu ndalua puna me vendi m të ministrisë së Bujqësisë.

“MBPZHR që katër herë radhazi kërkon prej N.T.SH. “LIRIA FC” që ta liroj pronën vullnetarisht konform nenit 2 të kontratës, mirëpo i njëjti nuk e ka bërë një gjë të tillë. N.T.SH “LIRIA FC” nuk ka bazë ligjore për ta mbajtur këtë pronë, andaj i njëjti nga data 01.01.2024 e mbanë kundërligjshëm pronën në fjalë”, thuhet nga Ministria e Bujqësisë.

Në aksionin e së enjtes, inspektorët janë asistuar nga Policia e Kosovës.

Prej disa muajve, ministria e drejtësisë ka nisur një aksion që t’i marrë nën kontroll disa prej pronave të saj, të cilat në të kaluarën ishin lëshuar me qera.