Moderatorja Blerta Foniqi Kabashi, ka bërë publik reagimin e saj dhe të kolegëve, duke e cilësuar situatën si censurë alarmante dhe shkelje flagrante të ligjit në RTK.

Sipas saj, të premten, në fund të orarit të punës, një grup gazetarësh morën njoftim të paparalajmëruar dhe joligjor se nga 1 shtatori përjashtohen nga drejtimi i emisioneve, përfshirë magazinën e orës 17:00 dhe lajmet e orës 23:00.

“Ky vendim ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik”, theksohet në reagim.

Gazetarët e përjashtuar kujtojnë se presionet ndaj tyre kanë qenë të vazhdueshme, sidomos sa herë që në magazinat informative janë zhvilluar intervista me përfaqësues të partisë në pushtet, të cilët shpesh kanë reaguar me pakënaqësi ndaj ballafaqimeve profesionale.

Sipas tyre, menaxhmenti i RTK-së ka përdorur këto pakënaqësi si alibi për ndërhyrje në skemën programore, duke shuar fillimisht “Lajmet e fundit” dhe tani magazinën e orës 17:00.

Këto ndërhyrje, sipas gazetarëve, janë të paligjshme, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi i RTK-së, i cili aktualisht nuk funksionon.

“Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend”, thuhet më tej.

Gazetarët paralajmërojnë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke theksuar se pavarësisht presioneve, do të vazhdojnë të punojnë “të panënshtruar, objektivë dhe profesionalë”.

Në këtë reagim publik, përveç Blerta Foniqi Kabashit, janë bashkuar edhe gazetarët Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, duke i dhënë kështu zë një pakënaqësie të thellë që tregon për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të politikës në transmetuesin publik të Kosovës (RTK).