Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj një gruaje me inicialet A.G., e cila dyshohet se ka mashtruar disa qytetarë duke u premtuar donacione të rrejshme nga shteti i Danimarkës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura gjatë muajit gusht të vitit 2024, në fshatin Skivjan të Komunës së Gjakovës, është prezantuar si presidente e një OJQ-je dhe ka bindur disa banorë se do të përfitonin traktorë dhe pajisje të tjera bujqësore nga një donacion i supozuar, nëse paguanin nga 250 euro për person – kinse për shpenzimet e transportit.

Të mashtruar nga këto premtime, qytetarët Sh.D., D.H., J.H., Z.H., E.K., N.A., A.A., S.T. dhe A.B. kanë paguar shumën e kërkuar, por donacioni i premtuar nuk është realizuar asnjëherë, duke iu shkaktuar dëm material.

Prokuroria e ngarkon të pandehurën me veprën penale të “Mashtrimit” nga neni 323, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që e pandehura të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.