
UBT International Smart Schools ka hapur zyrtarisht kampanjën e sivjetshme, duke shënuar një moment të rëndësishëm për arsimin në Kosovë me akreditimin nga Cambridge International Education, një nga institucionet më prestigjioze globale në arsimin parauniversitar.
Ky akreditim u mundëson shkollave implementimin e programeve dhe kualifikimeve ndërkombëtare Cambridge në Kosovë, duke u ofruar nxënësve një rrugëtim akademik sipas standardeve britanike dhe globale.
Përmes këtij bashkëpunimi, nxënësit do të kenë mundësi të ndjekin sistemin e njohur ndërkombëtarisht “Cambridge Pathway”, i cili përfshin: Cambridge Primary, Cambridge Lower Secondary, Cambridge IGCSE dhe Cambridge International AS & A Levels.
Programet e Cambridge International Education njihen globalisht për standardet e larta akademike, metodologjinë moderne të mësimdhënies dhe përgatitjen e nxënësve për universitetet më prestigjioze në botë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky akreditim krijon një model modern edukimi për të rinjtë në Kosovë.
“Kjo krijon një model modern edukimi që u jep të rinjve në Kosovë njohuri sipas standardeve ndërkombëtare, aftësi globale, kualifikime të njohura botërisht dhe mundësi më të mëdha akademike e profesionale. Qëllimi ynë është që të rinjtë në Kosovë të kenë qasje në të njëjtat standarde akademike që ndjekin nxënësit në shkollat më të mira ndërkombëtare”, tha Rektori Hajrizi.
Me numër rekord të interesuarish për regjistrimet e hershme në UBT International Smart Schools, shkollat e para që integrojnë plotësisht inteligjencën artificiale në kurrikula në Kosovë dhe rajon, ky vit shënon një etapë të re në transformimin e arsimit modern në vend.


