Gjatë aktivitetit, nxënësit e UBT International Smart Schools sollën para publikut një program të larmishëm kulturor-artistik, me poezi, këngë, valle, aktrim dhe performanca të tjera që ngjallën emocione të forta dhe u shoqëruan me duartrokitje të vazhdueshme. Çdo pjesë artistike shfaqi talentin, kreativitetin dhe përkushtimin e të rinjve, duke reflektuar njëherazi dashurinë dhe respektin e tyre për kulturën dhe historinë shqiptare.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha Hajrie Devetaku – Gojani vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe rëndësinë që mbart kjo ditë në formësimin e identitetit kombëtar.

“28 Nëntori është dita që na kujton rrugën e gjatë të sakrificave dhe arritjeve tona si komb. Jam krenare për nxënësit tanë që sot, me talentin dhe energjinë e tyre, e sollën këtë histori para nesh me kaq pasion e dinjitet. Rinia jonë është garancia më e madhe se vlerat tona kombëtare do të mbeten të gjalla dhe do të përcillen me krenari brez pas brezi”, u shpreh Devetaku – Gojani.

Në mesin e të pranishmëve, aktivitetin e përshëndeti edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili vlerësoi këtë manifestim si një dëshmi të fuqishme të harmonisë, edukimit dhe vizionit të UBT-së për formimin e brezave të rinj.

“Është frymëzuese të shohim se si nxënësit tanë e përqafojnë me kaq dashuri e krenari historinë dhe identitetin shqiptar. 28 Nëntori nuk është vetëm një datë, por një mesazh i fortë për unitetin, zhvillimin dhe aspiratat tona. UBT do të mbetet gjithmonë një hapësirë ku edukimi bashkohet me kulturën, dhe ku të rinjtë rriten duke e dashur vendin dhe duke kontribuar për të”, tha Rektori Hajrizi.

Ky aktivitet jo vetëm që i dha më shumë ngjyrë festimeve të 28 Nëntorit, por edhe dëshmoi përkushtimin e UBT International Smart Schools në kultivimin e vlerave kombëtare, zhvillimin e talentit dhe nxitjen e kreativitetit tek gjeneratat e reja. Falë energjisë së nxënësve dhe mbështetjes së vazhdueshme të mësimdhënësve dhe prindërve, ngjarja u shndërrua në një festë të vërtetë të kulturës dhe identitetit shqiptar.