Udhëheqësit e BE-së nxitojnë për marrëveshje tregtare me SHBA-në, ndërsa afati i Trump-it po afrohet
Bashkimi Evropian po përballet me një javë vendimtare, me vetëm edhe dy ditë bisedimesh të mbetura për të siguruar një marrëveshje tregtare me Uashingtonin dhe për të shmangur tarifat kërcënuese deri në 50% që Donald Trump ka paralajmëruar për importet nga BE në SHBA. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi të premten se negociatat […]
Bashkimi Evropian po përballet me një javë vendimtare, me vetëm edhe dy ditë bisedimesh të mbetura për të siguruar një marrëveshje tregtare me Uashingtonin dhe për të shmangur tarifat kërcënuese deri në 50% që Donald Trump ka paralajmëruar për importet nga BE në SHBA.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi të premten se negociatat – të cilat vazhduan edhe gjatë fundjavës – janë përqendruar në 15 deri në 18 marrëveshje me partnerë të rëndësishëm.
Ndërkohë, Trump paralajmëroi se për vendet e tjera mund të vendosen tarifa deri në 70%.
Pasiguria e krijuar nga qëndrimi i Uashingtonit ka tronditur ekonominë globale: bizneset kanë pezulluar investimet, ndërsa dollari amerikan ka pësuar rënien më të madhe në 50 vitet e fundit gjatë gjysmës së parë të vitit.
Ndërsa afati i 9 korrikut i vendosur nga Trump po afrohet, Komisioni Evropian mbetet në pasiguri për mënyrën se si presidenti amerikan do ta trajtojë bllokun evropian, duke rrezikuar një tregti transatlantike prej 1.6 trilionë eurosh.
“Brenda shteteve anëtare, dilema kryesore është: a duhet të arrijmë një marrëveshje me çdo kusht për të shmangur një luftë tregtare, apo të tregojmë forcë nëse marrëveshja nuk është e drejtë?”, tha një diplomat i BE-së.
Kancelari gjerman ka deklaruar se dëshiron një marrëveshje të shpejtë, të ngjashme me atë të Mbretërisë së Bashkuar, për të shmangur një përplasje të plotë tregtare. Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron është për një qëndrim më të fortë, duke paralajmëruar se një marrëveshje e nxituar dhe e pabalancuar është e papranueshme.
Atmosfera agresive ndaj BE-së u ilustrua javën e kaluar, kur komisioneri evropian për tregtinë, Maroš Šefčovič, u kërcënua gjatë bisedimeve me tarifë 17% për importet ushqimore nga SHBA.
Pas shpalljes më 2 prill të tarifave ndëshkuese të quajtura “dita e çlirimit” për pothuajse të gjitha vendet, Trump i pezulloi ato për 90 ditë një javë më vonë. Tani, SHBA është në prag të një “sulmi tregtar” ndaj dhjetëra vendeve, pasi periudha 90-ditore përfundon të mërkurën dhe vetëm dy marrëveshje janë arritur deri më tani – me Mbretërinë e Bashkuar dhe Vietnamin.
Kjo ka ngritur dyshime për aftësinë e BE-së për të arritur më shumë sesa një marrëveshje politike bazike, e cila do të zgjaste bisedimet, ndërkohë që mbeten në fuqi tarifat bazë 10% për makinat, çelikun dhe aluminin.
Me afrimin e fazës më të ndjeshme të negociatave, industritë në të gjithë Evropën po përgatiten për sfida të reja – me ose pa marrëveshje. Ato e konsiderojnë koston minimale të presidencës Trump si një tarifë 10% për eksportet drejt SHBA-së – pesëfish më e lartë se mesatarja 2% para zgjedhjes së tij vitin e kaluar.
Pasi BE-ja pranoi javën e kaluar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse është e paarritshme, synimi tani është një marrëveshje parimore, apo një “marrëveshje kuadër”, e ngjashme me atë të Mbretërisë së Bashkuar të nënshkruar në maj dhe që hyri në fuqi në fund të qershorit.
Shumë diplomatë të BE-së e konsideruan fillimisht marrëveshjen e Britanisë si të dobët dhe me baza të diskutueshme ligjore sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Megjithatë, duke pasur parasysh përmasat e rrezikut dhe peshën ekonomike të BE-së prej 1.6 trilionë eurosh krahasuar me 363 miliardë euro të Mbretërisë së Bashkuar, ata shpresonin për një marrëveshje më të mirë. Por tashmë e kuptojnë se një marrëveshje minimale mund të jetë maksimumi që mund të arrihet./The Guardian















