Udhëheqësit e BE-së pritet të përplasen me Orbanin për Ukrainën

Një samit i rëndësishëm i Bashkimit Evropian pritet të dominohet nga një përplasje ndërmjet udhëheqësve të BE-së dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, për shkak të kundërshtimit të hungarezëve për fillimin e negociatave për anëtarësim me Ukrainën

Një samit i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, i cili nis në Bruksel më 14 dhjetor, pritet të dominohet nga një përplasje ndërmjet udhëheqësve të BE-së dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, për shkak të kundërshtimit të hungarezëve për fillimin e negociatave për anëtarësim me Ukrainën dhe për aprovimin e një pakoje ndihmash me vlerë prej miliarda dollarësh për Kievin.

Samiti dyditor zhvillohet vetëm pak ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk arriti t’i bindte ligjbërësit republikanë amerikanë, gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara, për të zhbllokuar një pako vendimtare ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, me vlerë prej 60 miliardë dollarësh, që Kievit i nevojitet aq shumë, teksa beteja e tij për t’i dhënë fund pushtimit rus është gati të hyjë në vitin e tretë.

Këshilli Evropian ka thënë se shefja e BE-së, Ursula von der Leyen; presidenti francez, Emmanuel Macron; dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të takohen me Orbanin para samitit të së enjtes.

Orban, i cili ka raporte të ngrohta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kundërshton një ndihmë financiare prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, dhe është kundër nisjes së negociatave për anëtarësim me Ukrainën, e cila ka siguruar statusin e vendit kandidat, bashkë me Moldavinë, në qershorin e vitit të kaluar.

Ukraina llogarit në fondet e BE-së për t’i ndihmuar ekonomisë së saj të mbijetojë gjatë vitit të ardhshëm.

Kundërshtimi i Orbanit duket se do të përdoret si levë në përplasjen e tij me BE-në, e cila ka ngrirë miliarda euro fonde për Budapestin për shkak të një mosmarrëveshjeje për sundimin e ligjit në Hungari.

Më 13 dhjetor, Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, u pajtua të zhbllokonte 10 miliardë euro për Hungarinë, në atë që u duk si një gjest mirëbesimi karshi Budapestit, para samitit.

Zelensky, i cili zhvilloi një takim të shkurtër me Orbanin, javën e kaluar, në Argjentinë, ka thënë se Hungaria “nuk ka arsye” të kundërshtojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim në mes të Kievit dhe bllokut prej 27 vendeve.

Javën e kaluar, Orban i shkroi një letër kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel, përmes së cilës i kërkoi atij që anëtarësimi i Ukrainës në BE të hiqet nga agjenda në samit.

Këshilli “duhet të shmangë këtë skenar kundërproduktiv për hir të unitetit, që është pasuria jonë më e rëndësishme”, ka thënë Orban në letrën e tij të dytë dërguar Michel-it brenda dy javësh, në lidhje me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në BE.

Por, letra nuk ka sinjalizuar nëse Hungaria do të përdorë veto ndaj hapave për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën.

Vendimet për zgjerimin e bllokut dhe për një rishikim të buxhetit afatgjatë të tij, që përfshin 50 miliardë euro ndihmë për Kievin, duhet të miratohen unanimisht nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së.

Më 13 dhjetor, Zelensky bëri një vizitë të befasishme në Norvegji, gjatë kthimit nga Uashingtoni, dhe u takua me udhëheqës nordikë, të cilëve iu tha se Ukraina nuk mund ta fitojë luftën e saj kundër Rusisë, pa ndihmë perëndimore.

Norvegjia, e cila nuk është anëtare e BE-së, ka njoftuar dhënien e një ndihme prej 3 miliardë krunash (273 milionë dollarësh) për Kievin, e cila është pjesë e një pakoje më të madhe ndihmash, me vlerë prej 75 miliardë krunash, që do të jepen gjatë një periudhe pesëvjeçare./REL

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika