Nga Shëngjini në Velipojë, dhe anasjelltas, tash është e mundur të kalohen për vetëm 20 minuta.
Përveçse lehtëson lëvizjen e ndësjellë, rruga e re 15 kilometërshe, skajeve të kodrave shkëmbore përgjatë vijës bregdetare, ofron pamje piktoreske.

Përurimi i këtij aksi rrugorë është bërë këtë të premte, në ndërkohë që aty pjesëmarrës ishte edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
Rama në këtë ngjarje bëri edhe një diskutim me bizneset e ku përmendi potencialin për investime në zonën nga Rana e Hedhun deri në Velipojë, të cilën e vlerësoi si “një nga më të bukurat në Evropë”.

“Përfundimi i kësaj rruge të re është vërtetë një moment lehtësimi, sepse me këtë rrugë të re dhe segmentet tjera të kësaj natyre që po vazhdojmë të investojmë në Shqipëri, i zbulojmë shqiptarëve, por edhe turistëve, një pjesëz të magjishme Shqipërie”, ka thënë Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Duke përmendur investimet që veçse kanë nisur në përgjatë kësaj pjese të detit Adriatik, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, theksoi edhe projektet e tjera që do të nisin së shpejti.
“Është një ndër zonat që është në fokusin e veçantë të kryeministrit, të të gjithë Qeverisë, me konsultën e Benetit (Becit) dhe timen ndonjëherë, që të kthehen në një nga zonat më të mira në botë. Dhe, kjo është për kah struktura natyrore, por mënyra e zhvillimit të turizmit këtu është në dorën e arkitektëve më të mirë në botë”, ka thënë Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë – Lezhë.

I pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme ishte edhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci që tha se kjo rrugë, është koncept për zhvillimin e një zone të tërë.
“Sot vija e pandërprerë, nëpërmjet kësaj rruge – ranore dhe shumë e bukur – zgjerohet Shëngjini, Velipoja, dhe projekti që po ecë me pak vonesa nga ana e Malit të Zi, ura, krijon një vijë bregdetare ranore të pandërprerë prej rreth 40 kilometrash. Fillon në Shëngjin kalon në Velipojë dhe shkon deri në Ulqin që është unike për gjithë pjesën e mesdheut”, ka thënë Benet Beci, Kryetar i Bashkisë – Shkodër.

Krahas rëndësisë së investimeve në infrastrukturën e energjisë elektrike, si lehtësim, ministrja Delina Ibrahimaj foli edhe për mundësitë që krijon kjo rrugë e re.
“Është pikërisht një ekspoze e asaj që kemi dashur të bëjmë. Kemi, nga njëra anë, ndërtuar infrastrukturën me qëllim që çdo cep i bukur i Shqipërisë, i bukur ka qenë, aty ka qenë, po nuk aksesohej, turistët nuk mund ta preknin, të mund të preket, të mund të admirohet nga ne që jemi qytetarë të Shqipërisë dhe nga ata që mund të vinë”, ka thënë Delina Ibrahimaj, Ministre për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Ndërtimi i rrugës që kalon në zona panoramike si Rana e Hedhur, Rrjolli dhe Laguna e Vilunit vlerësohet të ketë kushtuar rreth 3.8 miliardë lekë – apo rreth 38 milionë euro me kursin aktual të këmbimit.