Një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është ngritur kundrejt të pandehurit me iniciale H.S ngase i njëjti ka udhëtuar drejt Sirisë për t’iu bashkëngjitur organizatës ISIS  së bashku me të shoqen dhe të bijën.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se i pandehuri H.S., me paramendim dhe njëherit, me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në Prishtinë.

Bëhet e ditur se ai ka udhëtuar me bashkëshorten dhe vajzën e mitur drejt Stambollit dhe përmes lidhjeve të caktuara kanë arritur në Siri për t’u bashkuar me organizatën terroriste ISIS.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri H.S., me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ka udhëtuar për në Stamboll – Turqi dhe përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet Organizatës terroriste ‘’ISIS’’ e cila në këto vende ka qenë duke luftuar ku edhe është angazhuar si pjesëtar i ‘’ISIS-it’’, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ‘’ISIS-it’’, është financuar nga ‘’ISIS’’ me shumën e të hollave prej nga 100 dollar në muaj duke bashkëpunuar edhe me epror dhe luftëtarë të ‘’ISIS-it’’, thuhet në njoftim.

Krahas këtyre veprimeve, i pandehuri ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.