Ukraina: Aeroporti në Rusi është sulmuar nga territori i saj

foto ilustrim

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka thënë të premten se sulmi i fundit me dronë në veriperëndim të Rusisë, i cili i ka dëmtuar disa aeroplanë transportues, është planifikuar brenda territorit rus. Ky pretendim i 1 shtatorit është bërë teksa presidenti rus, Vladimir Putin, u ka thënë nxënësve në ditën e parë të shkollës se shteti i tyre është i “pathyeshëm”.

Sulmi i kësaj jave në aeroportin Pskov, rreth 700 kilometra larg Ukrainës, shënon ndër sulmet e fundit në territorin rus, prej kur Kievi është zotuar në korrik se do ta “kthejë” konfliktin në Moskë.

“Dronët e përdorur për ta sulmuar bazën ajrore ‘Kresty’ në Pskov janë nisur nga Rusia”, ka thënë shefi ukrainas i inteligjencës, Kyrylo Budanov, të premten.

“Katër aeroplanë transportues IL-76 janë goditur si rezultat i sulmit. Dy janë shkatërruar dhe dy janë dëmtuar rëndë”, ka shtuar ai.

Budanov ka thënë se këto pajisje janë përdorur nga Ministria ruse e Mbrojtjes për të transportuar trupa ushtarake dhe mallra.

Kremlini ka thënë këtë javë se ekspertët ushtarakë janë duke punuar për ta gjetur drejtimin e fluturimit të dronëve, në mënyrë që t’i “parandalojnë situatat e tilla në të ardhmen”.

I pyetur për pretendimet e Ukrainës, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka refuzuar të përgjigjet duke kërkuar që pyetjet t’i bëhen Ministrisë së Mbrojtjes.

Rajoni Pskov, i cili është shënjestruar nga dronët edhe në maj, është i rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s në perëndim, Estoninë dhe Letoninë, si dhe Bjellorusinë në jug.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Shija e redaktorit

Bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë, vlerë e trashëguar ndër shekuj

Bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë vlerësohet si një vlerë e trashëguar ndër shekuj dhe thelbësore për të ardhmen e vendit, ndërsa dialogu, respekti i ndërsjellë...

SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut: Kosova s’mund të trajtohet si...

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së për...

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Të fundit nga rubrika