E hëna e 30 janarit shënon ditën e 341-të të luftës në Ukrainë.

Sulmet me raketa ruse vranë tre persona në qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, ndërsa luftimet u ndezën në rajonin lindor të Donetskut, ku Rusia bombardoi sërish qytetin kyç të Vuhledar, kanë thënë zyrtarët ukrainas, shkruan Reuters.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina po përballej me një situatë të vështirë në Donetsk dhe kishte nevojë për furnizime më të shpejta me armë dhe lloje të reja armatimi, vetëm disa ditë pasi aleatët ranë dakord t’i siguronin Kievit tanke të rënda beteje.

“Situata është shumë e vështirë. Bakhmut, Vuhledar dhe në rajonin e Donetskut – ka sulme të vazhdueshme ruse,” ka thënë Zelensky në një fjalim përmes videos, të dielën vonë.

“Rusia dëshiron që lufta të zvarritet dhe t’i lodhë forcat tona. Kështu që ne duhet ta bëjmë kohën armën tonë. Ne duhet të përshpejtojmë ngjarjet, të përshpejtojmë furnizimet dhe të hapim opsione të reja armësh për Ukrainën.”

“Tre persona u vranë dhe gjashtë u plagosën të dielën nga sulmet ruse në Kherson që dëmtuan një spital dhe një shkollë”, ka thënë administrata rajonale.

Trupat ruse e kishin pushtuar Khersonin menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022 dhe e mbajtën qytetin derisa forcat ukrainase e rimorën atë në nëntor.

Që nga çlirimi i tij, qyteti është granatuar rregullisht nga pozicionet ruse përtej lumit Dnipro.

Viktimat civile të së dielës erdhën tre ditë pasi të paktën 11 persona u vranë në sulmet me raketa, të cilat u panë në Kiev si përgjigje e Rusisë ndaj premtimeve të aleatëve të Ukrainës për furnizimin me tanke luftarake.