Rafineria më e madhe e naftës në Rusi, e vendosur në qytetin e Omsk në Siberi, është goditur nga një sulm me dronë ukrainas, në një nga operacionet më të thella të kryera brenda territorit rus që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Autoritetet ruse konfirmuan sulmin, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës bëri të ditur se goditja shkaktoi zjarr në rafinerinë e Omskut. Objekti ndodhet rreth 2,700 kilometra nga kufiri ruso-ukrainas, pranë kufirit me Kazakistanin.
Guvernatori i rajonit të Omskut, Vitaly Khochenko, njoftoi në Telegram se disa dronë ukrainas goditën zonën industriale veriore të qytetit, pa e përmendur drejtpërdrejt rafinerinë. Ai tha se ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë dhe se po vlerësohen dëmet e shkaktuara.
Sipas të dhënave të Reuters, rafineria, në pronësi të Gazprom Neft, ka përpunuar rreth 23 milionë tonë naftë gjatë vitit të kaluar, ose rreth 460 mijë fuçi në ditë, duke e bërë atë një nga objektet më të rëndësishme të industrisë energjetike ruse.
Sulmi ndaj Omskut vjen në kuadër të fushatës së Ukrainës për të goditur infrastrukturën energjetike dhe logjistike të Rusisë. Autoritetet ukrainase thanë se gjatë natës u sulmuan edhe portet ruse të Ust-Luga dhe Vysotsk në Detin Baltik, të përdorura për eksportin e naftës, si dhe objektiva në rajonet Kaluga dhe Yaroslavl.
Ndërkohë, në Krime, autoritetet ruse raportuan se një grua humbi jetën gjatë një sulmi në portin e Kerç, ndërsa qyteti i Sevastopol mbeti pa furnizim me energji elektrike pas sulmeve.
Sulmet e ndërsjella ndaj objekteve strategjike tregojnë se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës po zgjerohet përtej vijës së frontit, duke përfshirë gjithnjë e më shumë infrastrukturën kritike të të dyja vendeve.