Ukraina godet sërish Dubnën, Rusia raporton vdekjen e një foshnjeje pas sulmit me dron

Ukraina njoftoi të martën se ka goditur për herë të dytë brenda pak më shumë se një jave një nga qendrat më të mëdha të komunikimit satelitor të Rusisë, ndërsa Kievi po intensifikon sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi për të shtuar presionin ndaj Kremlinit që t’i japë fund luftës katërvjeçare.

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Qendra e Komunikimit Satelitor në Dubna, në veri të Moskës dhe rreth 500 kilometra nga kufiri me Ukrainën, përdoret për mbledhjen e inteligjencës dhe koordinimin e forcave të armatosura ruse që luftojnë në Ukrainë, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.

Rusia nuk e ka konfirmuar goditjen e kësaj qendre. Megjithatë, guvernatori i rajonit të Moskës, Andrey Vorobyov, tha se një dron goditi një ndërtesë administrative në qytetin e Dubnës, pa raportime për të lënduar.

Vorobyov bëri të ditur gjithashtu se një foshnjë gjashtëmuajshe humbi jetën pasi një dron u përplas me një shtëpi në rajonin e Moskës, duke zënë nën rrënoja banorët. Ekipet e shpëtimit nxorën dy të rritur dhe dy fëmijë, por foshnja ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.

Nga ana tjetër, kryetari i Moskës, Sergey Sobyanin, deklaroi se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi më shumë se 60 dronë pas disa valëve të sulmeve që nisën të hënën në mbrëmje drejt kryeqytetit rus. Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se në total janë interceptuar ose shkatërruar 419 dronë.

Ukraina ka shtuar sulmet në thellësi të territorit rus, duke goditur kryesisht rafineritë e naftës, por edhe duke ndërmarrë sulme masive me dronë ndaj Moskës dhe Shën Petersburgut. Javën e kaluar, Zelensky njoftoi nisjen e një operacioni 40-ditor që synon ta detyrojë Rusinë t’i japë fund luftës.

Kjo është hera e dytë që Kievi pretendon se ka goditur qendrën satelitore në Dubna. Më 22 qershor, ushtria ukrainase deklaroi se kishte sulmuar të njëjtën objektiv. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi atëherë se objekti ishte vënë nën një “sulm masiv me dronë”, por se komunikimet dhe transmetimet televizive nuk ishin ndërprerë dhe nuk kishte pasur të lënduar në mesin e stafit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, dënoi sulmin në rajonin e Moskës, duke deklaruar se “civilët po vuajnë dhe fëmijët po humbin jetën”.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika