Ukraina, në krye të agjendës në Konferencën e Mynihut
Mbështetja perëndimore për Ukrainën ka qenë në krye të agjendës në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, një mbledhje e përvitshme e krerëve të shteteve, zyrtarëve, diplomatëve dhe ekspertëve, e cila po zhvillohet në Gjermani. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur thirrjet për aleatët perëndimorë për dërgimin sa më të shpejtë në Kiev të armëve, […]
Mbështetja perëndimore për Ukrainën ka qenë në krye të agjendës në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, një mbledhje e përvitshme e krerëve të shteteve, zyrtarëve, diplomatëve dhe ekspertëve, e cila po zhvillohet në Gjermani.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur thirrjet për aleatët perëndimorë për dërgimin sa më të shpejtë në Kiev të armëve, teksa hapi samitin treditor me lidhje- video më 17 shkurt.
Ai ka thënë se Rusia nuk duhet të lejohet që të blejë kohë për agresionin e saj, derisa forcat ukrainase po përballen me sulme të shumta në të gjithë linjën e frontit.
“Ne duhet të përshpejtojmë. Ne na duhet shpejtësi – shpejtësi në marrëveshje, shpejtësi në dërgesa… shpejtësi në vendime për të kufizuar potencialin rus”, ka thënë Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Në konferencë po marrin pjesë rreth 40 krerë shtetesh, si dhe politikanë dhe ekspertë të sigurisë nga pothuajse 100 vende, si liderët e Francës dhe Gjermanisë, por edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Gjatë konferencës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën “është e dizajnuar që të jetë afatgjatë”, raporton REL.
Ndërkaq, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që aleatët perëndimorë të rrisin ndihmën ushtarake në mënyrë që Ukraina të mund të nisë një kundërofensivë kundër Rusisë.
Pushtimi rus i Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt 2022, mbush një vit javën e ardhshme.















