Ukraina pritet të ketë në dispozicion rreth 3.5 miliardë dollarë muajin e ardhshëm në një fond të veçantë për blerjen e armëve nga Shtetet e Bashkuara, për të vazhduar luftën e saj më shumë se trevjeçare kundër agresionit rus. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Marrëveshja financiare, e njohur si Lista e Kërkesave Parësore të Ukrainës (PURL), grumbullon kontribute nga vendet anëtare të NATO-s, përveç SHBA-së, për të financuar blerjen e armëve, municioneve dhe pajisjeve amerikane.

“Ne kemi marrë më shumë se 2 miliardë dollarë nga partnerët tanë posaçërisht për programin PURL”, tha Zelensky gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kiev me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

“Do të marrim fonde shtesë në tetor. Mendoj se do të kemi diku rreth 3.5–3.6 miliardë dollarë”, theksoi ai.

Edhe pse Zelensky nuk dha detaje mbi dërgesat e para të armëve, ai konfirmoi se ato do të përfshijnë raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe municione për sistemet HIMARS.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti gatishmërinë e Rusisë për negociata paqeje, duke thënë se Moska mbetet e hapur për zgjidhje politike dhe diplomatike. Megjithatë, Moska ka kundërshtuar propozimet kryesore, çka ka bërë që procesi i bisedimeve të ngecë.

Ndërkohë, sulmet ajrore ruse gjatë natës shkaktuan ndërprerje në shërbimet hekurudhore dhe energjetike të Ukrainës, sipas zyrtarëve ukrainas. Për më tepër, një bombë ruse goditi një qytet në rajonin jugor të Khersonit, duke plagosur tre gra dhe një vajzë 3-vjeçare, njoftoi kreu rajonal Oleksandr Prokudin.