Ukraina regjistron muajin më vdekjeprurës për civilët që nga viti 2022, intensifikohen sulmet ruse

Ukraina po përballet me muajin më vdekjeprurës për civilët që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, ndërsa sulmet e Moskës janë përshkallëzuar në të gjithë vendin.

Sipas autoriteteve ukrainase, gjatë këtij muaji janë vrarë të paktën 377 civilë, ndërsa 2,129 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sulmet janë kryer me raketa balistike, dronë dhe bomba ajrore të drejtuara, me kryeqytetin Kiev që ka qenë disa herë objektiv i bombardimeve, raportoi CNN.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se vetëm gjatë javës së fundit Rusia ka përdorur rreth 1,700 dronë, më shumë se 1,630 bomba ajrore të drejtuara dhe mbi 50 raketa balistike kundër territorit ukrainas.

Përballë intensifikimit të sulmeve, Zelensky u bëri edhe një herë thirrje partnerëve perëndimorë të shtojnë furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, duke theksuar se ato janë thelbësore për mbrojtjen e qyteteve dhe popullsisë civile.

Ndërkohë, luftimet kanë vazhduar edhe larg vijës së frontit. Ukraina ka vijuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, ndërsa Rusia ka shtuar sulmet ndaj porteve dhe objekteve të karburantit në territorin ukrainas.

Në zhvillime të tjera, për të tretën ditë radhazi, forcat ajrore rumune kanë rrëzuar një dron rus mbi Detin e Zi. Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, e dënoi incidentin, duke e cilësuar shkeljen e hapësirës ajrore të vendit si “të papranueshme”.

Të fundit nga rubrika