Ukraina thotë se ka fituar më shumë kontroll në territoret lindore e jugore

Në Ukrainë, trupat ushtarake ukrainase kanë njoftuar se ata kanë rikthyer kontrollin e disa territoreve në frontet lindore dhe jugore në një kundërofensivë kundër forcave ruse. Ky zhvillim i fundit vjen pas shumë muajsh luftime të ashpra mes dy palëve në konflikt

Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Maliar.

Ukraina ka raportuar të hënën se trupat e saj ushtarake e kanë rikthyer kontrollin e territoreve në frontet lindore dhe jugore në kuadër të kundërofensivës kundër forcave ruse.

Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Maliar, ka thënë se forcat e Kievit kanë rimarrë rreth dy kilometra katrorë të territorit javën e kaluar rreth qytetit të shkatërruar lindor, Bahmutit, i cili kontrollohet nga ushtria ruse prej majit, pas shumë muajsh luftime.

Maliar i ka thënë televizionit ukrainas se forcat ukrainase tani e zotërojnë një pjesë të fshatit Optine në jug të qytetit Avdivka dhe kanë shënuar “sukses të pjesshëm” afër fshatit Novomaiorske në rajonin lindor Donjeck.

“Ka pasur lëvizje afër Optines, forcat ukrainase të mbrojtjes e kanë kapur një pjesë të vendbanimit”, ka thënë Maliar.

Sipas Maliarit, trupat ushtarake të Kievit i kanë çliruar 49 kilometra katrorë afër Bahmutit prej nisjes së kundërofensivës tremujore.

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, ka thënë se Ukrainës i kanë mbetur më pak se 30 ditë për të luftuar para se moti ta pengojë kundërofensivën.

Sipas tij, kushtet e liga të motit do t’i vështirësojnë manovrat e Ukrainës.

Ai e ka pranuar se ofensiva po zhvillohet më ngadalë sesa është pritur, mirëpo ka thënë se luftimet e ashpra janë duke vazhduar.

Sipas gjeneralit Milley, ende është shumë herët për të thënë se kundërofensiva ka dështuar, mirëpo ka thënë se Ukraina është duke “përparuar me ritëm të qëndrueshëm në linjat e frontit”, shkruan REL.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shija e redaktorit

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Blinken duartroket rolin e Osmanit për hapjen e qendrës rajonale...

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka vlerësuar rolin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në hapjen e qendrës rajonale “Gratë, Paqja dhe Siguria”...

Të fundit nga rubrika