Ulen çmimet e roaming-ut në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Operatorët telefonikë nga Ballkani Perëndimor dhe nga vendet e Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje për zvogëlimin e dallimeve ndërmjet çmimeve për shërbimet e telefonisë mobile brenda dhe jashtë vendit në të dyja drejtimet, ka njoftuar Komisioni Evropian.

Marrëveshja vullnetare, e firmosur nga 38 operatorë nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, pritet t’i reduktojë shpenzimet për konsumatorët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe rajonit, për të paktën një të tretën e çmimeve mesatare aktuale.

Kjo është një marrëveshje për të cilën u arrit pajtim në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur dhjetorin e kaluar në Tiranë.

Siç theksohet në njoftimin e KE-së, ulja e çmimeve nxit dhe thjeshtëzon shkëmbimet biznesore, kulturore, turistike dhe të tjera ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke forcuar lidhjet ndërmjet rajoneve fqinje.

“Operatorët aktualisht po punojnë për krijimin e produkteve me çmime më të vogla se ato për të cilat u arrit pajtim që do të jenë në dispozicion për blerje nga numri më i madh i mundshëm i konsumatorëve”, thuhet në njoftim, transmeton REL.

Nënshkrimi i marrëveshjes për reduktimin e çmimeve të roaming-ut u mirëprit nga komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Kjo marrëveshje vullnetare do t’i bëjë gjërat të parashikueshme, do të ndihmojë në eliminimin e befasive në faturat e konsumatorëve dhe do të mundësojë reduktime të ndjeshme të kostove të roaming-ut për konsumatorët nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor”, ka thënë komisionari Varhelyi.

Ky proces mbështetet edhe nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe nga Komisioni Evropian. KE-ja i ka ftuar edhe operatorët e tjerë telefonikë nga BE-ja dhe rajoni për t’iu bashkuar iniciativës.

Nga 1 korriku i vitit 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roaming-ut. Vizitorët paguajnë për thirrje, për porosi SMS dhe për qasje në internet me të njëjtin çmim si në vendin e tyre, nëse ndodhen në territorin e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Marrëveshja për roaming-un mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është nënshkruar në prillin e vitit 2019, pas së cilës, çmimet e thirrjeve telefonike janë reduktuar për rreth 27 për qind nga korriku i atij viti dhe i ka hapur rrugën heqjes së plotë të tarifave të roaming-ut nga korriku i vitit 2021.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika