UNICEF: 130 fëmijë në situatë rruge në 8 komuna, shumica nga komunitetet joshumicë

130 fëmijë në situatë rruge janë identifikuar në tetë komuna të Kosovës, sipas raportit “Fëmijët në situatë rruge”, që është publikuar të mërkurën nga zyra e UNICEF-it në Kosovë

130 fëmijë në situatë rruge janë identifikuar në tetë komuna të Kosovës, sipas raportit “Fëmijët në situatë rruge”, që është publikuar të mërkurën nga zyra e UNICEF-it në Kosovë.

Sipas raportit, ata janë të moshës 6-17 vjeç dhe u përkasin kryesisht komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Udhëheqësja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, ka thënë se 95 për qind prej tyre e shohin varfërinë si shkaktarin kryesor që i ka shtyrë të dalin në rrugë.

“95 për qind e shohin varfërinë si shkakun kryesor. ‘Ne dalim që të ofrojmë para për familjen, pra që të blejmë bukë’. Një nga 5 familjet e përdor këtë formë për mbijetesë. Një realitet që i detyron familjet pavarësisht vetëdijes për rrezikun”, është shprehur Zicherman.

Sipas saj, vetëm 1/4 e tyre e ndjekin shkollimin.

Zyrtarja për monitorim dhe vlerësim në UNICEF në Kosovë, Dida Dobranja, ka thënë se përgjigjet që më së shumti kanë marrë nga ta janë se ata kërkojnë lëmoshë ose punojnë.

“Kur i kemi pyetur se çka bëni me të ardhurat, shumica e tyre na kanë thënë se ua japim prindërve apo i përdorim për të blerë ushqim”, është shprehur Dobranja.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kjo kategori e fëmijëve është kategoria më e rrezikuar.

Sipas saj, ata i ekspozohen rrezikut për trafikim, varfërisë e fenomeneve të tjera që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.

“Në janar të vitit të kaluar një pjesë e shërbimeve sociale kanë kaluar në Ministri të Drejtësisë. Që nga kjo kohë ne kemi marrë shumë veprime të cilat tregojnë përkushtimin tonë, që lidhet me adresimin e sfidave. Ligji për mbrojtjen e fëmijës, punët që bëjnë fëmijët në rrugë, i kategorizon forma të rrezikshme të punës”, është shprehur Haxhiu.

Por, sipas saj, asnjë praktikë legjislative nuk mund të jetë funksionale nëse nuk ka planifikim buxhetor. “Nuk mjafton të kemi vetëm ligje të mira por ato duhet të mbështeten edhe në aspektin financiar”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka thënë se 35 organizata joqeveritare janë mbështetur me 1.5 milionë euro, e që sipas saj, pjesë e kësaj mbështetjeje kanë qenë edhe programe për fëmijët në situatë rruge.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se fëmijët në situatë rruge paraqesin shqetësim në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ai ka thënë se BE-ja është duke mbështetur dy qendra për shërbim ditor, të cilat, sipas tij, ofrojnë shërbime për këtë fëmijë.

“BE mbetet e përkushtuar që të vazhdojë mbështetjen për fëmijët në situatë rruge. Ne gjithashtu dëshirojmë të shohim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke përmirësuar edhe kornizën ligjore”, është shprehur Szunyog.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se ata si ministri vazhdojnë të bëjnë përpjekje për parandalim të braktisjes së shkollimit.

Ajo ka thënë se është viti i tretë me radhë që ndajnë subvencione për qendrat ditore për këta fëmijë.

“Kemi filluar edhe dhënien e bursave për të rinj të komuniteteve. Për ata që fillojnë studimet në bachelor e për ata të klasës 10-12. Identifikimi i këtyre fëmijëve është një hap tejet i rëndësishëm. Bashkëpunimi me komunat për trajtimin e secilit rast veç e veç dhe individualisht. Riintegrimi është zgjidhja e vetme efikase”, është shprehur Nagavci./EO

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika