United mposht Liverpoolin dhe siguron kthimin në Ligën e Kampionëve

Manchester United ka fituar derbin e madh anglez ndaj Liverpool-it me rezultat 3:2, në ndeshjen e zhvilluar të dielën në Old Trafford, në kuadër të xhiros së 35-të në Premier League.

Para rreth 74 mijë tifozëve, vendasit e nisën fuqishëm takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e 6-të me golin e Matheus Cunha. Vetëm tetë minuta më vonë, Benjamin Šeško dyfishoi shifrat për 2:0.

Liverpool FC reagoi në pjesën e dytë, duke barazuar rezultatin. Dominik Szoboszlai shënoi për 2:1 në minutën e 47-të, ndërsa Cody Gakpo realizoi për 2:2 në minutën e 56-të.

Megjithatë, fjalën e fundit e tha Kobbie Mainoo, i cili në minutën e 77-të shënoi golin e fitores për skuadrën vendase.

Pas kësaj fitoreje, Manchester United ngjitet në kuotën e 64 pikëve në vendin e tretë, duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, tri xhiro para përfundimit të kampionatit. Ndërkohë, Liverpool FC mbetet në vendin e katërt me 58 pikë.

Skuadra nga Manchesteri po vazhdon formën e mirë nën drejtimin e trajnerit Michael Carrick, duke konfirmuar rikthimin në garat elitare evropiane.

Të fundit nga rubrika