UNMIK ka njoftuar lidhur me vizitën në Kosovë të nënsekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Operacionet Paqeruajtëse, Jean-Pierre Lacroix.
Sipas njoftimit, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Lacroix ka zhvilluar takime me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Ai është takuar gjithashtu edhe me përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në vend.
UNMIK thekson se në këto takime janë vlerësuar përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës dhe progresi i arritur, duke u nënvizuar rëndësia e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit.
Po ashtu, Lacroix ka rikonfirmuar mbështetjen për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të UNMIK-ut për forcimin e sundimit të ligjit, promovimin e të drejtave të njeriut dhe ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve.