Fillimisht shprehën shumë interesim që me marrëveshje t’i hapin rrugë funksionalizimit të institucioneve.

Por nga e mërkura e 19 gushtit, Albin Kurti e Lumir Abdixhiku s’u takuan më për çështjen e Presidentit konsensual.

Madje as këtë të martë, gati pas një jave, s’po planifikohet diçka e tillë.

Këtë e konfirmoi deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku.

“Deri në këto momente që po flasim nuk ka ndonjë ftesë dhe nuk ka asnjë takim të aranzhum gjithesesi do të ju njoftojmë sapo të ketë një iniciativë”, u shpreh ajo.

Lushaku bëri të ditur nëse ka ndonjë emër të përveçëm për president konsensual.

“Zotëri Abdixhiku ka pasur takime edhe me deputet edhe me anëtarë të kryesisë dhe ka pasur konsulta por për rezultatet dhe për ato do të jenë të prezantueshme nëpër takime nëse do të ndodhin në të ardhmen edhe me Vetëvendosjen por edhe me akterë të tjerë, sepse tek e fundit qëllimi final është që të kemi një personalitet që i përmbush kushtet për të paraqitur një unitet të popullit”.

Përmes telefonit për Dukagjinin, deputetja Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje njoftoi nëse planifikohet ndonjë takim.

“Nuk mundem me konfirmu diçka konkrete të paktën për sot, por ju njoftojmë sapo të ketë diçka. Besoj që ekziston vullneti i dy anshëm dhe po punojmë në këtë drejtim, ju njoftojm kur ka diçka konkrete”, u shpreh Nagavci.

Pas takimit të mërkurën e kaluar, Kurti e Abdixhiku bën të ditur se nuk diskutuan për emra të përveçëm për president konsensual.