Urtëdhëna e “Gjumit mbi Borë”
Nëse më kujtohet mirë, ishte motmoti i kaluar kur lexova për herë të parë diçka nga shkrimtari Ridvan Dibra. E shkruaj lexova, megjithëse një përshkrim më i mirë do të ishte – u përplasa e u rrëzova. Dhe tani, në fund të kësaj vjeshte të tretë, kur hera e parë i ka prirë herave të […]
Nëse më kujtohet mirë, ishte motmoti i kaluar kur lexova për herë të parë diçka nga shkrimtari Ridvan Dibra. E shkruaj lexova, megjithëse një përshkrim më i mirë do të ishte – u përplasa e u rrëzova. Dhe tani, në fund të kësaj vjeshte të tretë, kur hera e parë i ka prirë herave të shumta, e shoh krejt të udhës të pyes pse fuqia e rinisë sime për të shpërfillur gjëra, u përplas dhe rrëzua nga një gjë. Njëmend, pse ajo përplaset e rrëzohet edhe tani, kur e lexon Dibrën edhe pas herave të shumta. Apo, për ta bërë më të kuptueshme pyetjen time, të nderuar lexues – çfarë na jep letërsia e Dibrës, e cila është aq kuptimplote sa të na dalë para si letërsi e rëndësishme, në një kohë kur shumë pak gjëra quhen të tilla? Këtu shtegtimi ndalet, barra ngarkohet dhe çudia fillon.
E shihni, letërsia e Dibrës ka një magjepsje të rrallë të cilën pakkush mund ta krijojë, por tek e cila thuajse askush nuk dështon ta kuptojë vetminë, vetminë e thellë. Dhe e gjitha kjo është falë dy gjërave çudibërëse. Në njërën anë, kemi mënyrën mahnitëse se si Dibra shkruan, duke i besuar lëvizjes së duarve po aq sa u besohet gjërave që lëvizin duart. Në anën tjetër, kemi të dhënën e kësaj mënyre, e cila është një letërsi e thurur me fatin që të qëndrojë, ashtu si vetat që gjallërojnë brenda saj, në thoret e një vetmie marramendëse, si në gjuhë ashtu edhe në të thënat që tregon. Por është pikërisht kjo bërje midis mënyrës së të shkruarit dhe një fati disi të paracaktuar, do të argumentoj unë, ku çudia kryesore e saj fshihet – çudia e një letërsie që nuk na deh me ngushëllim dhe nuk na tremb me klithmat e dhimbjes. Pra, një letërsi urtëdhënëse – një letërsi e cila na jep urti.
Nga motmoti i kaluar, letërsia e Dibrës është endur në kokën time si diçka e rëndësishme për t’iu përgjigjur – për t’iu përgjigjur ndershëm, si lexuesi i saj, pa e nënçmuar duke e krahasuar me një mijë gjëra që nuk është: qofshin ato filozofike, psikologjike apo letrare. Dhe kjo nuk është aspak e lehtë. Sepse kushdo që e lexon Stina e ujkut, nga i njëjti shkrimtar, do ta kuptojë shumë shpejt se kur them që ai libër është dëshmia e një mendjeje e cila ka shpallur luftë të brendshme mes të kundërtave, nuk jam duke zmadhuar gjëra thjesht se mundem. Por jam duke treguar praninë e një lufte e cila mandej te Sesilja ose sexonix, dhe jo vetëm, kthehet në lojë dhe përkthehet në paragrafë me të njëjtin ndërtim, por me kuptim të ndryshëm; fillimin e disa paragrafëve me fjalën e njëjtë; tregimi i dy rrëfimeve në të njëjtën kohë që ndërlidhen dhe marrin kuptim përmes njëri – tjetrit. Një prani e cila e ka dërguar Dibrën deri në thyerjen e të gjithë prozës, duke e shndërruar atë në shkëputje njëfjalish të bukura. Njëfjali ku të kundërtat nuk bëhen përfundime dhe kalojnë në një poetikë ku përdridhen. Në këtë kuptim, letërsia e Dibrës është luftë, ose më mirë mbetje e një lufte të brendshme.
Letrat e Dibrës, dhe sidomos libri që do të trupoj në këtë shkrim me shpresën që lexuesi ta ketë lexuar, Gjumi mbi borë, janë vënë shumë herë nën hijen e një izmi që ndoshta nuk është përshkrimi i duhur, kur shumica e atyre që shkruajnë për të, përdorin më shumë se sa duhet lidhëzën ‘por’, dhe ku lexuesi, për të kuptuar ata shkrimtarë që i do, duhet t’i lexojë të ndërmjetësuar nga lloj–lloj mendimi të prishur. Megjithatë, ajo që është mbetet. Sepse pavarësisht hijes që letërsia e shkrimtarit Dibra paramendohet se është nën, ajo mbetet një letërsi që shumë lehtë largohet nga kjo barrë, kështu, u largohet edhe atyre që e kanë përkufizuar. Unë do të thoja, shumë herë i largohet edhe vetë shkrimtarit të saj, dhe se ai e lejon një gjë të tillë – ky është pjesërisht kuptimi i asaj kur shkrova ‘gjërave që i lëvizin duart’.
Ky largim ndodh sepse shkrimtari Ridvan Dibra bredh nëpër një fushë të rrezikshme. Një fushë të cilën pak e njohin dhe rrallëkush dëshiron të bredhë brenda saj edhe kur e njeh. Është kjo fushë e rrezikshme sepse gjithçka në të ka shumëkuptimësi dhe kërkon të bëhesh mishërimi i këtyre shumë kuptimeve – gjë që nuk mund ta bësh pa e mbytur kuptimin e vetës së parë. Në shikimin fillestar, kjo i jep lexuesit një pamje ku vija e hollë midis gjeniut dhe të marrit është duke u fshirë. Ama nëse e shikojmë sa duhet, Dibra tregohet aq i ndershëm sa të mos e shtjellojë veten me atë që është vetë bredhja. Bredhja ka shumë kuptime, ndodh brenda zotave që janë kudo dhe ngado: krejt tjetër me shkrimtarin, i cili e kupton se nuk mund të jetë një mishërimi i këtyre shumë kuptimeve si veta e parë. Pa marr parasysh pse çuditë e tij mbi shumëkuptimin e kanë thyer edhe prozën për ta bërë më të përballueshme. Pa marr parasysh pse është përjetimi i shumë kuptimeve që i lëviz duart. Por çfarë çështje kryesore tregohet këtu atëherë? Çështja kryesore mbi atë se çfarë jemi, si veta e parë, dhe çfarë ndodh kur kërkojmë të bëhemi një me shumëkuptimësinë. Shkruar ndryshe, kur kërkojmë të bëhemi një me zotat e kësaj fushe të rrezikshme. Dhe çfarë zgjidhje dëshmohet? Veta e parë që përjeton pa e mbytur veten. Në një mënyrë, përfundimi i Dibrës është i njëjtë me përfundimin e zanafillës së krishterimit, ku përjetimi i Krishtit e vendosi në vetëdijen evropiane vetën e parë si shtegun e vërtetë dhe zotat paganë, sado të pabesuar dhe të zbehur atëbotë, kërkonin secili pjesën e tyre. Në çdo libër, Dibra bredh në fushën e rrezikshme, zhytet në ujin e zotave, lufton në të kundërtat, noton në shumëkuptimin e ujit dhe me kuptimin e përjetimit të pandërmjetësuar shpëton.
Askund nuk tregohet më mirë çështja dhe zgjidhja e luftës mes kuptimi dhe shumëkuptimit se sa në librin Gjumi mbi borë. E thëna kryesore e këtij libri, parë nga veta e tretë, është dallimi midis Qytetit, nga ku Dibra përjashtohet, dhe Fshatit, ku Dibra internohet. Qyteti dhe Fshati nuk janë aty vetëm për të treguar dy dallime të thjeshta vendndodhjeje: janë aty edhe si e Njohura dhe e Panjohura, Qendra dhe Periferia, Kuptimi dhe Shumëkuptimi. (Ja pse në libër Qyteti dhe Fshati shënohen si emra të përveçëm.) Ky dallim do të ishte krejtësisht në rregull, vetëm nëse Qyteti dhe Fshati janë bërë ashtu në mënyrë organike dhe jo revolucionare. Qyteti i vendosur nga një ndryshim rrënjësor i gjërave, është një Qytet i cili ka marr një rol pa e kuptuar se çfarë kërkohet prej tij. Sepse ai nuk është më aty për të treguar se e gjitha që ishte, është dhe do të jetë, është në mirënjohje dhe në bashkëpjesëmarrje me veten, por bëhet një mendësi e bindur se i ka kuptuar të gjitha kuptimet e asaj që ishin, janë dhe do të jenë. Kështu, një Qytet i tillë në emër të së ardhmes ndryshon rrënjësisht çdo gjë pa pikën e vetëdijes se çfarë është duke përjashtuar dhe mohuar. Qyteti i librit Gjumi mbi borë është Qytet revolucionar dhe jo organik, sepse është një Qytet komunist i bindur se ka gjetur kuptimin e botës, duke anashkaluar symbyllur faktin që e përkufizon veten si shumëkuptimi – me ‘ne’ dhe jo me ‘unë’. Symbyllur që e përjeton botën me pakuptimin ndërmjetësues.
Tani, është e nënkuptuar besoj se ka qenë një kohë kur, ashtu si Dibra i cili bredh në libër mes të kundërtave, edhe mendësia revolucionare ka bredhur. Ishte kjo kohë kur, ndryshe nga Dibra në Kepin e tij të Shpresës, siç isha duke shkruar, nuk u shtegtua me zgjidhjen e vetës së parë (unë), por me zgjidhjen e vetës së parë shumës (ne). Dhe ja pse Qyteti komunist nuk ka përgjegjës ndaj dikujt që është përgjegjës si veta e parë, sepse të gjithë brenda tij kishin vendet e tyre nga natyra e kuptimit revolucionar pavarësisht nëse pajtoheshin me të apo jo. Natyra e kuptimit revolucionar ku ‘unë’ është mbytur prej ‘ne’: ku kuptimi është mbytur nga shumëkuptimi. Kështu, ku përgjegjësia mungon: ku shpëtimi mungon. Kjo vetëm sa shkon për të treguar pse nuk mund të pajtohesh apo të mos pajtohesh me revolucionet nëse mendon se duhet të ndryshohet diçka rrënjësisht: sepse ndryshimi rrënjësor arsyeton se brenda vetes i ka të gjitha kuptimet. Dhe çfarë ndodh me gjërat kur ti bindesh se e ke të gjithë kuptimin e një bote, se je ‘kuptimi’ i shumëkuptimit të saj, se nga kjo mund ta ndryshosh atë? Gjërat bëhen mjetet e qëllimit të bindjes. Dhe kush është mes gjëra? Ti vetë, veta e parë vetë. Dhe kush është mbi gjërat? Qëllimi vetë, bindja vetë. Nëse ky kthim nga revolucioni i gjërave në zgjidhjen e tyre të bërjes organike, që Dibra e bën si më i ndrojturi dhe më i frikësuari, pra pa guximin e bindjes por me shpresë te shpëtimi i mundshëm, nuk e bën librin Gjumi mbi borë ironik, nuk e di se çfarë do ta bëjë.
Përtej kësaj mandej, pyetja e radhës është pse e bën kjo urtëdhënëse dhe jo thjesht përshkruese letërsinë e Dibrës? Shtoja se nuk e nxjerr sërish shkrimtarin e saj nga çudia për të bredhur në oqeanin e shumëkuptimësisë, edhe atëherë kur ai sa e sa herë e ka kuptuar se është njëmend veta e parë që i përjeton ato. Epo, është urtëdhënëse sepse ai e ka përjetuar se nuk është një me to dhe është duke treguar pse nuk është një me to. Është urtëdhënëse sepse tregon që shumëkuptimi i bërë kuptim është i pamundur të përmbahet nga ‘unë’, pa u bërë i marrë prej ‘ne’. Është urtëdhënëse sepse Dibra ngrihet mbi urtësinë e asaj që ishte – paralajmërimet e fshatarëve për gjumin – shpëton nga bora prej asaj që është – fshatarëve dhe kërkimit të lirisë prej shumëkuptimësisë – dhe përmes këtyre dyjave dashuron atë që do të jetë – e gjitha ndodh në Kepin e Shpresës. Mos të harrohet, nuk është në kepet e shumta ku ndodhet Dibra, por në Kepin e Shpresës: në kepin ku askush s’ka vdekur. Në këtë kuptim, letërsia e Dibrës, krahas një lufte dhe urtëdhënie, është e shoqëruar edhe me një dashuri të rrallë për atë që do të jetë: me dashurinë që dhuron shpresën e shpëtimit të mundshëm.
Unë jam me shpresën se letërsia e Ridvan Dibrës, në një mënyrë apo tjetër, do të qëndrojë ende te ky Kep i Shpresës. Krye kësaj, mendoj se ne nuk e kemi kuptuar rëndësinë e këtij kepi derisa ta kujtojmë atë pikërisht në tundimin e nxitjeve të brendshme për të kthyer duart nga vetja, kështu ndaj gjithçkaje tjetër. Në thellësi, gjumi në librin Gjumi mbi borë është një vdekje e ndjell nga shumëkuptimi në kuptim. Veta e parë në libër e kupton pse duhet Fshati, por e kupton pse duhet edhe një Qytet organik që shumëkuptimi i Fshatit mos të na vrasë: duke e nënkuptuar se përfundimi i Qytetit revolucionar tashmë e ka bërë këtë. Përmes kësaj via media, libri në fund na përkujton pasqyrën e thyer që na ka dhënë, gjithmonë me paramendimin e urtëdhënës se ne nuk do të ndjellim vetëvdekjen nga tehet e saj të mprehta. Sepse po e mbytëm veten e parë, ne e kemi mbytur edhe kuptimin për të shpresuar shpëtimin e mundshëm.
Letërsia e Dibrës është një thirrje për këtë përjetim via media mes të kundërtave. Kështu, edhe një thirrje për të mos harruar plotësisht, ashtu siç kemi bërë, se jashtë nesh ka shumëkuptimësi të cilat shumë lehtë na bëjnë të marrët e tyre – kjo është, për të mos e harruar përjetimin numinous. Dorë më dorë me këtë, sa për të vërtetuar akoma më shumë urtëdhënën via media, është edhe një thirrje që të jemi aq të urtë sa të mos bëhemi shumëkuptimi me bindjen se nuk jemi ‘bërë’ të tillë. Ndonëse kuptimi për vetën e parë ka shumë ngjashmëri me thirrjen krishtere kundër paganizmit (të cilën perëndimi ka kohë që e ka harruar), në shkrimtarin Ridvan Dibra kuptimi i kthehet me kundërshtim vetëm mendësisë iluministe, që në zanafillë është një racionalitet revolucionar – ku, për ironi mbase, ‘veta e parë’ është tirania e arsyes – i cili mund të quhet gjithçka tjetër pos i pjekur dhe organik, e aq më pak një via media. Papjekuria dhe inorganikja e së cilës shihet në atë që lindi, Qytetin komunist.
Pra, magjepsëse në letërsinë e Dibrës janë dy gjëra të mbajtura bashkë nga një thore e vetme. Së pari, besimi në lëvizjen e duarve, kjo është lufta e njëmend midis të kundërtave. Dhe së dyti, besimit në gjëra që lëvizin duart, fati i vetmisë pse ne i përjetojmë por nuk jemi ato. Të dyja këto, të mbajtura bashkë nga dashuria për atë që do të jetë. Dhe e gjitha kjo është një lojë! Një lojë që për shkrimtarin Dibra është shumë e vërtetë, nëse me lojë lexuesi nënkupton shtirjen për të bërë gjëra. Sepse është njëmendësia e kësaj loje që e dërgon Dibrën për të thënë se izmi me të cilën e kanë përkufizuar është real – sepse është real për veten e parë, për Dibrën vetë. Zhurmat kundërshtues të atyre që përshkruajnë botën me këtë izëm janë gabim, sepse ata kanë harruar se është Dibra ai që shkruan e jo izmi i tyre. Kushdo që përpiqet të përkufizojë letrat e Dibrës domosdoshmërisht duhet të ndeshet me përfundimin se veta e parë për Dibrën është dhe ka kuptim. Shtoja kësaj letërsie edhe shpresën e dashurisë që i kalon luftën dhe urtinë në rëndësi, lexuesi i përditshëm, i pa trembur se mund të dhunojë kujdesin e vetmisë së Dibrës, duhet të ngrihet ballë tij, të heqë kapelën dhe të thotë – këtu u përplasa dhe u rrëzova nga një gjë që e dua dhe duhet ta nderoj.














