Nga një vend që për vite është identifikuar kryesisht me rindërtimin pas luftës, Kosova po ndërton një profil të ri ekonomik, të mbështetur në investime, inovacion, teknologji, energji dhe kapital njerëzor. Ky është vlerësimi kryesor i raportit special “Kosovo: A Balkan Success Story”, të publikuar nga One World Media në USA Today, ku Kosova paraqitet si një nga ekonomitë me potencialin më premtues në Evropën Juglindore.
Raporti thekson se vendi po fiton vëmendjen e investitorëve ndërkombëtarë falë kombinimit të potencialit afatgjatë të rritjes ekonomike, kostove konkurruese dhe një force punëtore të re e të adaptueshme. Po ashtu, evidentohet pozita strategjike e Kosovës në zemër të Ballkanit dhe integrimi në rritje i fuqisë punëtore me tregjet globale, duke krijuar mundësi në sektorë si energjia, financat, teknologjia, shëndetësia dhe prodhimi.
Sipas raportit, perceptimi ndërkombëtar për Kosovën po ndryshon ndjeshëm.
“Për vite me radhë, Kosova ekzistonte kryesisht jashtë bisedës kryesore për investimet evropiane, pasi audiencat ndërkombëtare historikisht e shihnin vendin përmes lenteve të rimëkëmbjes pasluftës dhe jo përmes mundësive ekonomike”, thuhet në raport.
Raporti shton se sot Kosova po prezantohet si një ekonomi që ndërthur potencialin e rritjes afatgjatë me kostot konkurruese dhe një fuqi punëtore të përshtatur për ekonominë moderne.
“Kosova është e nënpërfaqësuar, pavarësisht se është një ekonomi e vogël, por e fortë në mes të Evropës”, ka deklaruar Shpend Luzha, Drejtor Ekzekutiv i Bankës Ekonomike.
Bizneset kosovare drejt tregjeve të huaja
Raporti vëren se bizneset vendore po kalojnë nga modeli tradicional i orientuar në tregun e brendshëm drejt kompanive me ambicie rajonale dhe globale. Një brez i ri sipërmarrësish po zhvillon biznese në teknologji, shërbime digjitale dhe sektorë të tjerë me orientim ndërkombëtar.
Sipas raportit, madhësia e tregut të Kosovës nuk duhet parë si pengesë, por si mundësi përmes integrimit ekonomik rajonal dhe marrëveshjeve tregtare.
“Këto marrëveshje në mënyrë efektive e transformojnë Kosovën nga një treg vendas prej rreth 1.5 milionë njerëzish në një portë drejt një baze shumë më të madhe rajonale dhe ndërkombëtare”, citohet në raport Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Banka Ekonomike dhe zhvillimi financiar
Një kapitull i veçantë i raportit i kushtohet Bankës Ekonomike, e cila prezantohet si banka e vetme plotësisht në pronësi vendore në Kosovë. Raporti vlerëson se gjatë 25 viteve të veprimtarisë së saj, banka ka kontribuar në zhvillimin ekonomik duke mbështetur individët, bizneset e vogla, kompanitë dhe diasporën.
Sipas Shpend Luzhës, sistemi bankar i Kosovës karakterizohet nga stabiliteti dhe standardet e larta rregullatore.
“Është një sektor i mirëkapitalizuar, shumë i rregulluar dhe kjo ka krijuar një bazë të madhe besimi për klientët dhe palët e interesuara në tregun bankar”, ka deklaruar ai.
Energjia, një shtyllë e zhvillimit të Kosovës
Raporti ndalet edhe te sektori energjetik, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.
Sipas të dhënave të paraqitura, KEDS ka investuar mbi 340 milionë dollarë në modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, ndërsa fokusi tashmë po zhvendoset drejt teknologjive inteligjente.
“Energjia e besueshme është një nga themelet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Ne po kalojmë nga investimet në infrastrukturë drejt investimeve teknologjike. Qëllimi është të menaxhojmë rrjetin në mënyrë më efikase dhe të reagojmë më shpejt”, ka deklaruar Alpin Dogan, CEO i KEDS-it.
Raporti përmend gjithashtu synimet e Kosovës për zgjerimin e investimeve në energjinë diellore, të erës dhe teknologjitë për ruajtjen e energjisë.
Talenti kosovar dhe teknologjia
USA Today thekson se një nga avantazhet kryesore të Kosovës nuk janë vetëm kostot konkurruese, por edhe kapitali njerëzor. Në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve profesionale, kompanitë kosovare po integrohen gjithnjë e më shumë në ekonominë globale.
“Kosova duhet të shihet si një nga mundësitë e fshehura të Evropës”, ka deklaruar Mergim Cahani, themelues dhe CEO i Gjirafës.
Shëndetësia dhe standardet e reja
Në pjesën përmbyllëse, raporti trajton sektorin e shëndetësisë, duke vlerësuar se ai po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku prioritet janë cilësia, transparenca dhe harmonizimi me standardet ndërkombëtare.
Raporti sjell si shembull kompaninë Meditech, e cila nga një distributor farmaceutik është shndërruar në partner të kompanive ndërkombëtare të industrisë farmaceutike, falë zbatimit të standardeve të larta të cilësisë dhe auditimeve të vazhdueshme.
Përmes zbatimit të standardeve evropiane të Praktikave të Mira të Shpërndarjes së Barnave (Good Distribution Practice) dhe kërkesave të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), kompania synon të ofrojë shërbime në përputhje me praktikat më të avancuara ndërkombëtare.
“Ne nuk po shpërndajmë vetëm barna, ne po sjellim standarde në tregun shëndetësor”, ka deklaruar Arianit Jakupi, CEO i Meditech-it.
Sipas tij, misioni i kompanive farmaceutike nuk kufizohet vetëm në furnizimin e tregut, por edhe në krijimin e një sistemi më të sigurt dhe më cilësor për pacientët.
“Kjo nuk është vetëm për të bërë biznes; është për të ofruar shërbime që janë të domosdoshme për popullatën”, ka thënë Jakupi.
Ai shton se zgjerimi i qasjes në terapi të reja për pacientët kosovarë është një hap i rëndësishëm drejt afrimit të sistemit shëndetësor me standardet evropiane.
“Pacientët duhet të marrin të njëjtin nivel kujdesi, pavarësisht se ku jetojnë”, ka theksuar Jakupi.
Raporti vlerëson se sektori shëndetësor ka potencial të konsiderueshëm për investime të reja në infrastrukturë, teknologji, produkte farmaceutike dhe shërbime të specializuara.
Kosova me potencial për investime të reja
Në përfundim, raporti thekson se, ndonëse sfidat mbeten të pranishme, drejtimi i zhvillimit të Kosovës është pozitiv.
Sipas vlerësimit të publikuar nga USA Today, vendi po ndërton një ekonomi që mbështetet jo vetëm në kostot konkurruese, por edhe në dije, inovacion, talent dhe aftësinë për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.
Në vijim dokumenti i plotë i raportit: “Kosovo: A Balkan Success Story” .