Një studim i ri sugjeron se ngrënia e një avokadoje çdo ditë mund të ndihmojë në uljen e yndyrës së dëmshme në gjak apo siç njihet, kolesteroli LDL, dhe të mbështesë shëndetin e zemrës.
Studimi përfshiu 786 persona me mbipeshë abdominale dhe zgjati gjashtë muaj. Gjysma e pjesëmarrësve vazhdoi ushqyerjen e zakonshme, ndërsa gjysma tjetër shtoi një avokado në ditë, pa ndryshuar mënyrën e ushqyerjes apo aktivitetin fizik.
Në fund të studimit, personat që konsumuan avokado çdo ditë patën ulje të LDL-së. Studiuesit e konsideruan këtë një përmirësim modest, por edhe ndryshimet e vogla në kolesterol mund të kenë rëndësi për shëndetin e zemrës, ka shkruar AOL.
Pse mund të ndihmojë avokadoja?

Avokadoja përmban yndyra të pangopura, të cilat janë më të shëndetshme se yndyrat e ngopura. Ajo gjithashtu përmban fibra dhe fitosterole, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e përthithjes së kolesterolit.
Pra, nuk mjafton thjesht të shtoni avokado në ushqimin tuaj. Përfitimi është më i madh kur ajo zëvendëson ushqime me shumë yndyra të ngopura, si gjalpi, mishi i kuq, ushqimet e skuqura apo disa produkte të përpunuara.
Avokadoja nuk është “ilaç magjik”

Sipas mjekëve, një avokado në ditë nuk mund të zgjidhë vetë problemet me kolesterolin.
“Avokadot vetëm nuk janë një zgjidhje magjike. Nuk mund të shtoni një avokado në rutinën tuaj të përditshme dhe të prisni që problemet me kolesterolin dhe tensionin e gjakut të zhduken”, ka thënë kardiologu.
Një studim tjetër i vitit 2022 kishte gjetur se njerëzit që konsumonin të paktën dy porcione avokado në javë kishin një rrezik 16 për qind më të ulët për sëmundje kardiovaskulare dhe 21 për qind më të ulët për sëmundje koronare të zemrës, krahasuar me ata që rrallë ose kurrë nuk konsumonin avokado.
Çfarë ndihmon më shumë për uljen e kolesterolit?
Për zemër më të shëndetshme, ekspertët rekomandojnë të konsumoni më shumë perime, fruta, drithëra integrale, fasule, arra dhe peshk. Të kufizoni mishin e kuq dhe të përpunuar, ushqimet shumë të përpunuara dhe sheqernat. Të zëvendësoni gjalpin dhe yndyrat e ngopura me vaj ulliri, arra dhe yndyra të shëndetshme. Të bëni të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë. Të mos pini duhan, si dhe, nëse ju janë përshkruar, t’i merrni ilaçet sipas udhëzimit të mjekut.