Ish Presidenti Hashim Thaçi ka ndarë përjetimet e tij nga qëndrimi në Hagë, duke përshkruar realitetin e jetës në paraburgim si emocionalisht të vështirë dhe të shkëputur nga normaliteti.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziu, ai u shpreh se përjetimet e përditshme nuk kanë të njëjtën ndjenjë si jashtë, duke theksuar mungesën e ngrohtësisë emocionale.
“Megjithëse, edhe takimet dhe bisedat me familjarë nuk e kanë përjetimin apo ngrohtësinë emocionale normale. Këtu buzëqeshja nuk buron nga thellësia e shpirtit, zemrës dhe haresë. Ushqimi që ha, kafeja apo çaji që pi nuk e kanë shijen origjinale”, tha ai.
Thaçi shtoi se gjithçka në atë ambient i duket e përkohshme dhe artificiale, pavarësisht kohëzgjatjes së qëndrimit.
“Çdo gjë duket e përkohshme, artificiale, sipërfaqësore, por në realitet ka vite të tëra, thellësisht të shkëputura nga jeta e lirë. Bëj gjumë të rehatshëm, por nuk më sjell mjaftueshëm sensin e rigjenerimit mendor e as fizik”, u shpreh ai.
