Po bëhen gati për një aksion shumë të madh.

Dronët e armikut, FSK-ja krah aleatëve të NATO-s, i shpartallon pa pengesë me snajper nga një largësi që syri e ka problem ta kap.

Në lojë hyjnë ata që gjuajnë predhat me minahedhës që shkatërrojnë pikat të cilat i kishin cak.

E që të zhduken nga pamja e kundërshtarit madje edhe snajperistëve, veprimet ndërmerren menjëherë.

Pas kësaj, vijnë breshëritë e mitralozit që shkaktojnë edhe tym të bardhë nga gjuajtjet.

Krejt këto ishin një demonstrim i ushtrimit DEFENDER25 që Kosova sivjet qe një nga shtetet nikoqire e që u realizuan në poligonin trajnues të Babaj të Bokës.

Kjo seri e demonstrimeve të përbashkëta përfshiu regjimentin e Dytë të Këmbësorisë të FSK-së dhe njësitë ndërkombëtare që me sukses e përfunduan atë.

E krejt këtë, e përcollën krerë të shtetit, përfaqësues diplomatik, e të NATO-s.

Madje u prezantuan edhe armët të cilat shteti i Kosovës i posedon.

Krejt kjo stërvitje ka qëllim të forcojë gatishmërinë ushtarake, ndërveprimin mes forcave aleate që pastaj të shërbej për sigurinë kolektive në rajon.

Të tillë e vlerëson edhe Komandantja Supreme e FSK-së, presidentja, Vjosa Osmani e cila tha se FSK ka bërë krenarë gjithë vendin.

Ndër të tjera tha se Kosova është gati të jetë një shtet i barabartë anëtar i NATO-s, tha Osmani.

E kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Kosova e dëshmoi se anëtarësimi në NATO nuk është vetëm në dobinë tonë.

Lavde për Kosovën e ushtrinë e saj nuk u kursye të jap as Shefi i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë, Levon E. Cumpton.

 “Krejt kjo është një dëshmi e qartë se kur njerëzit dhe vendet janë të gatshëm të bashkëpunojnë për vlera të përbashkëta dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit, çdo gjë është e mundur. E vlerësojmë shumë këtë marrëdhënie dhe partneritet”, deklaroi Levon E. Cumpton Ushtrimi Defender ka nisur me 26 maj dhe përfundon me 9 qershor ku Kosova është në mesin e tetë shteteve pritëse të këtij ushtrimi që drejtohet nga ushtria e SHBA-së.