Ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës pas disa javë ushtrimesh në terren i erdhi koha që krejt ato të çka mësuan t’i demonstrojnë para publikut.
Ushtrimi fushor “Ujku Shigjetë” u realizua në Babaj të Bokës në Gjakovë ku pos mediave, u përcoll edhe nga eprorë të lartë të ushtrisë së Kosovës.
Ata këtë ushtrim e demonstruan me armë e mjete reale, kështu fillimisht duke lokalizuar cakun e deri te tentimi për të eliminuar armikun fillimisht me zjarre lokale.
Pastaj “hyn në lojë” kompania tjetër e armëve të montuara në automjetet e FSK-së.
E elementet e tjera janë te pozicionuara për veprimet e radhës, gjithçka me koordinim të njësive.
Radha iu vjen murtajave për shtypje e armatimit të rëndë që u përdorën për qarje të pengesës.
Deri sa automjetet kalojnë nëpër pengesë, mbështetja me zjarr vazhdon deri sa të eliminohet objektivi.
Në këtë ushtrim u demonstrua edhe ndërhyrja e ushtarëve jashtë mjeteve, përdorimi i anti-tankeve e madje edhe snajperave.
E krejt ky ushtrim sipas ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka synim konfirmimin e kapaciteteve të këmbësorisë së Regjimentit të Tretë.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për ushtrinë tonë, FSK. Sepse po përmbyllim një ndër objektivat kryesore të planit zhvillimor të FSK-së. Atë të certifikimit dhe validimit të të gjitha kapaciteteve të këmbësorisë”, ka thënë Maqedonci.
Në këtë ditë, të quajtur ndryshe Dita e Vizitorëve të Shquar ishin të pranishëm edhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, përfaqësues nga Ambasadat e akredituara në vend, përfaqësues nga KFOR-i, Atashe të Mbrojtjes dhe përfaqësues ushtarak nga vendet partnere.