Ushtria amerikane godet tri anije në Paqësor, tetë të vrarë
Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar të hënën se ka goditur tri anije të dyshuara për kontrabandë në Oqeanin Paqësor, duke vrarë të paktën tetë persona. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ushtria tha se sulmet kishin në shënjestër “organizata të përcaktuara si terroriste”. Sipas njoftimit, tre persona janë vrarë në anijen […]
Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar të hënën se ka goditur tri anije të dyshuara për kontrabandë në Oqeanin Paqësor, duke vrarë të paktën tetë persona.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ushtria tha se sulmet kishin në shënjestër “organizata të përcaktuara si terroriste”. Sipas njoftimit, tre persona janë vrarë në anijen e parë, dy në të dytën dhe tre në të tretën.
Megjithëse nuk është paraqitur asnjë provë konkrete që anijet ishin të përfshira në kontrabandë të lëndëve narkotike, autoritetet amerikane kanë publikuar një video ku shihen anijet duke lëvizur në oqean para se të shpërthejnë.
Presidenti Donald Trump i ka justifikuar sulmet, duke i cilësuar si veprime të domosdoshme për të ndaluar qarkullimin e drogës drejt Shteteve të Bashkuara.
Ai ka deklaruar se SHBA-ja ndodhet në një “konflikt të armatosur” me kartelet e drogës.
Megjithatë, administrata Trump po përballet me shqyrtim gjithnjë e më të madh nga ligjvënësit amerikanë. Sipas të dhënave, fushata e sulmeve ndaj anijeve ka shkaktuar të paktën 95 viktima në 25 sulme të njohura që nga fillimi i shtatorit, përfshirë edhe një sulm të fundit ku u vranë dy persona.
Goditjet e fundit ndodhin në prag të seancave informuese në Capitol Hill, ku të gjithë anëtarët e Kongresit pritet të marrin informacione mbi operacionet ushtarake, mes rritjes së pyetjeve dhe kritikave ndaj kësaj fushate.















