Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë se tre pengje izraelite në Gaza u identifikuan gabimisht si kërcënim dhe u vranë me armë zjarri.

“Gjatë luftimeve në Shejaiya (në Gazën veriore), IDF-ja gabimisht identifikoi tre pengje izraelite si kërcënim. Si rezultat, trupat qëlluan drejt tyre dhe ata u vranë”, tha zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari, raporton BBC.

“Gjatë kontrolleve në zonën ku ka ndodhur ngjarja, ka lindur dyshimi mbi identitetin e të ndjerëve. Trupat e tyre u transferuan në territorin izraelit për ekzaminim, pas së cilës u konfirmua se ishin tre pengje izraelitë”, shtoi ai.

Ata u identifikuan si Yotam Haim, 28 vjeç, Samer Talalka, 22 vjeç dhe Alon Shamriz, 26 vjeç.

“Forcat e mbrojtjes së Izraelit filluan menjëherë shqyrtimin e incidentit”, ka vijuar Hagari.

Më shumë se 100 pengje mbeten në robëri në Gaza pasi u kapën në sulmet e 7 tetorit në Izrael.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thonë se incidenti i së premtes është nën hetim dhe se “shpreh keqardhje të thellë për incidentin tragjik dhe u dërgon familjeve ngushëllimet e saj të përzemërta”.