Ushtria e Libanit ka njoftuar se ka nisur vendosjen e trupave në një “zonë pilot” në jug të vendit, pas tërheqjes së forcave izraelite, në kuadër të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar.
Sipas komandës së ushtrisë libaneze, njësitë ushtarake kanë hyrë të martën në mëngjes në fshatin Zawtar al-Gharbiyeh, në distriktin e Nabatiehut.
Të hënën në mbrëmje, ushtria izraelite konfirmoi nisjen e planit për zonën pilot, i cili parashikon tërheqjen e trupave izraelite nga një pjesë e vogël e territorit të pushtuar gjatë konfliktit me Hezbollahun, si dhe çarmatimin e këtij grupi të mbështetur nga Irani.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se operacionet në zonat pilot kanë nisur në Zawtar al-Gharbiyeh dhe në dy fshatra të tjerë, Froun dhe Srifa, në përputhje me marrëveshjen trepalëshe mes Izraelit, Libanit dhe SHBA-së.
Sipas SHBA-së, ky hap është rezultat i drejtpërdrejtë i bisedimeve të zhvilluara javën e kaluar mes përfaqësuesve izraelitë dhe libanezë në Romë.
Një zyrtar izraelit tha se ushtria izraelite do të ndryshojë pozicionimin e forcave në një nga zonat pilot, në mënyrë që ushtria libaneze të mund ta kryejë misionin e saj, ndërsa Izraeli do të ruajë sigurinë e ushtarëve të tij dhe të drejtën për vetëmbrojtje.
Izraeli ka deklaruar gjithashtu se do të mbajë trupat në një zonë sigurie përgjatë kufirit me Libanin “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, me arsyetimin e mbrojtjes së komuniteteve në veri të Izraelit.
Ndërkohë, ushtria libaneze u ka bërë thirrje qytetarëve të mos shkojnë në fshatrat ku po zhvillohen operacionet derisa situata e sigurisë të stabilizohet dhe të respektojnë udhëzimet e forcave të vendosura atje.
Vendosja e trupave libaneze vjen para takimit të presidentit amerikan Donald Trump me homologun e tij libanez, Joseph Aoun, në Uashington. Aoun pritet t’i kërkojë Trumpit të ushtrojë presion ndaj Izraelit për tërheqjen e plotë nga jugu i Libanit dhe të mbështesë ushtrinë libaneze në marrjen e kontrollit të plotë të zonave ku ka ndikim Hezbollahu.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, më shumë se 4,300 persona janë vrarë gjatë konfliktit, përfshirë rreth 800 fëmijë, gra dhe pjesëtarë të personelit mjekësor. Autoritetet izraelite thonë se 37 ushtarë izraelitë dhe katër civilë janë vrarë në të dyja anët e kufirit.