Ushtria siriane ka marrë nën kontroll fushën më të madhe të naftës në vend, pas përplasjesh me forcat kurde në verilindje të Sirisë.

Sipas zyrtarëve dhe organizatave monitoruese, objekti i naftës Omar, së bashku me disa fusha gazi aty pranë, kanë kaluar nën kontrollin e ushtrisë, pasi Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, janë tërhequr nga zona. Më herët, ushtria kishte marrë edhe digën strategjike të Tabqas në lumin Eufrat.

Ky avancim vjen pasi SDF-ja njoftoi se do të ripozicionohej në lindje të Eufratit, pas përleshjeve të përgjakshme javën e kaluar. Tërheqja u bë pas bisedimeve me zyrtarë amerikanë.

Përplasjet aktuale lidhen me dështimin e zbatimit të një marrëveshjeje mes SDF-së dhe qeverisë së presidentit Ahmed al-Sharaa, i cili synon integrimin e strukturave kurde në institucionet shtetërore siriane.

Të premten, në një gjest të konsideruar si shenjë vullneti të mirë, al-Sharaa shpalli gjuhën kurde si gjuhë kombëtare dhe Vitit të Ri kurd i dha statusin e festës zyrtare. Ky është njohja e parë formale e të drejtave kombëtare të kurdëve që nga pavarësia e Sirisë në vitin 1946.

Pas këtij vendimi, SDF-ja njoftoi tërheqjen e saj në lindje të lumit Eufrat.

Forcat kurde kanë kontrolluar për vite me radhë zona të gjera në veri dhe verilindje të Sirisë, të pasura me naftë, kryesisht të fituara gjatë luftës kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.

Gjatë fundjavës, trupat siriane vazhduan avancimin drejt lindjes, duke hyrë në qytetin Tabqa dhe duke marrë nën kontroll digën aty pranë. Të dielën, autoritetet siriane konfirmuan marrjen e fushës së naftës Omar, e cila ka qenë një burim kyç të ardhurash për SDF-në.

Kjo u konfirmua edhe nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili tha se SDF-ja ishte tërhequr nga disa fshatra dhe qytete në provincën Deir ez-Zor, si dhe nga fushat e naftës Omar dhe Tanak.

Ndërkohë, autoritetet siriane akuzuan SDF-në se ka hedhur në erë dy ura mbi lumin Eufrat, përfshirë urën e re al-Rashid në qytetin Raqqa.

Javën e kaluar, të paktën 12 persona u vranë në përleshje mes palëve në qytetin verior të Alepos.

Zhvillimet e fundit ndodhin pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për të ndërmjetësuar një armëpushim. Uashingtoni ka mbështetur tradicionalisht SDF-në, por njëkohësisht mbështet edhe qeverinë siriane.

Pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në fund të vitit 2024, presidenti al-Sharaa po përpiqet të konsolidojë pushtetin duke integruar strukturat kurde ushtarake dhe civile në institucionet shtetërore. Në mars të vitit 2025, SDF-ja dhe qeveria nënshkruan një marrëveshje për këtë qëllim, por ajo ende nuk është zbatuar, me palët që fajësojnë njëra-tjetrën për vonesat./BBC