Vala e paprecedentë e të nxehtit që ka përfshirë Evropën mund të ketë shkaktuar mbi 1.300 vdekje të tepërta që nga 21 qershori, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se temperaturat ekstreme kanë pasur pasoja të rënda për shëndetin publik, duke e cilësuar stresin nga nxehtësia si një “vrasës të heshtur”.
“Stresi nga nxehtësia shpesh quhet vrasësi i heshtur. Shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat në Evropë nuk janë ndërtuar për temperatura të tilla”, shkroi ai në platformën X.
Sipas tij, miliona njerëz në Evropë po jetojnë nën temperatura ekstreme, qindra persona kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur në disa zona, ndërsa rrjetet energjetike po përballen me presion të madh.
Në Francë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se që nga e mërkura janë regjistruar rreth 1.000 vdekje më shumë se zakonisht. Shumica e viktimave janë persona mbi 65 vjeç, ndërsa numri i vdekjeve në banesa është rritur me 40 për qind.
Ndërkohë, temperaturat rekord vazhduan të regjistrohen edhe të dielën në disa vende evropiane.
Gjermania shënoi ditën më të nxehtë në historinë e saj për të tretën ditë radhazi, pasi në stacionin meteorologjik në Coschen, pranë kufirit me Poloninë, u regjistruan 41.7 gradë Celsius.
Edhe Polonia vendosi rekord të ri kombëtar me 40.5 gradë Celsius në qytetin Slubice, ndërsa në Çeki temperatura arriti në 41.1 gradë Celsius në Doksany, duke shënuar rekordin e dytë brenda dy ditësh.
Tedros paralajmëroi se Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale.
Ai theksoi se ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale po bëjnë që valët e të nxehtit, të cilat dikur konsideroheshin fenomene që ndodhnin një herë në brez, tani të përsëriten pothuajse çdo vit.
Në fund, OBSH u bëri thirrje vendeve evropiane të zbatojnë plane konkrete për mbrojtjen e shëndetit të popullsisë gjatë valëve të të nxehtit, në mënyrë që të zvogëlohen pasojat e temperaturave ekstreme.