Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar përmes analizave të ADN-së tri viktima nga grupi i njohur si “Grupi i Intelektualëve”, të cilët ishin rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999 nga forcat serbe.
Kurti ka bërë të ditur se raportet e para të ADN-së janë pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, pas analizimit të mostrave nga mbetjet mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, njofton Dukagjini.
Sipas tij, në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica.
“Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe menjëherë, sot, përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se në ditët dhe javët në vijim priten edhe raporte të tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së, duke shprehur shpresën se edhe familjet e tjera do të marrin përgjigjet që i presin prej 27 vitesh.
Kurti ka rikujtuar se më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër, ndërsa ka përsëritur kërkesën ndaj Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian për të shtuar trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel.
Në veçanti, ai ka kërkuar hapjen e arkivave, përfshirë arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën pretendon se ka kryer masakra në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.
Kurti ka theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet shtetëror i Kosovës dhe ka thënë se çështja do të jetë pjesë e angazhimeve të tij edhe gjatë vizitës në SHBA dhe takimeve në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Familjarët e 23 intelektualëve të zhdukur vizitojnë varrezën masive në Kalludër