Vasfije Krasniqi-Goodman, një nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që ka dalë publikisht me rrëfimin e saj, është përfshirë në projektin ndërkombëtar “Let’s Talk About Rape” (“Të flasim për dhunimin”), të realizuar nga fotografja dhe aktivistja polake Jadwiga Bronte.

Ky projekt është publikuar në revistën prestigjioze “Vogue” dhe përfshin mbi 250 portrete dhe rrëfime të grave nga e gjithë bota që kanë përjetuar dhunë seksuale.

Projekti ka për synim të sfidojë konceptin e anonimitetit që shpesh i shoqëron viktimat, duke u dhënë atyre zë.

Në përshkrimin e artikullit thuhet se ky koleksion fotografik është një dëshmi e fuqishme e qëndresës dhe guximit të grave që kanë kaluar nëpër trauma të rënda, por kanë vendosur të flasin hapur.

Në mesin e këtyre grave janë edhe Consolee Nishimwe, e mbijetuar e gjenocidit dhe dhunës seksuale në Ruandë, Halima Hussein Khalaf, që i mbijetoi robërisë nga ISIS-i dhe skllavërisë seksuale në Irak, Nancy Gomez Ramos, e mbijetuar e konfliktit të armatosur në Kolumbi, si dhe Elena de Paz Santiago dhe Dominga, gra autoktone Ixil Maya nga Guatemala, që përballuan dhunën seksuale të lidhur me konfliktet në vendin e tyre.

Krasniqi-Goodman është një prej zërave më të fuqishëm për të drejtat e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë. Ajo ishte ndër të parat që doli publikisht pas luftës, duke thyer heshtjen dhe turpin që ka rënduar për vite mbi këtë temë në shoqërinë kosovare.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, rreth 20 mijë persona janë dhunuar seksualisht.

Megjithatë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale në vitin 2014, vetëm mbi 2 mijë persona e kanë fituar këtë status.

Më 14 prill 2025, Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi që afati për aplikim për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës të shtyhet deri në maj të vitit 2027.