Policia e Kosovës ka njoftuar se janë duke vazhduar kërkimet për gjetjen e një 33-vjeçari nga komuna e Klinës, i cili dyshohet se është mbytur në Liqenin e Ujmanit.

Kërkimet kishin filluar të dielën, ndërsa në operacion janë të përfshira edhe ekipet e specializuara të kërkim-shpëtimit.

“Raportohet se viktima mashkull ishte futur  në liqenin e Ujmanit, mirëpo nuk ka dal më në sipërfaqe. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore,  njësia për kërkim dhe shpëtim, njësia e zhytësve dhe ekipi nga emergjenca, ku po vazhdojnë kërkimet për viktimën”, thuhet në raportin e PK-së.

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim ka bërë të ditur se është angazhuar që nga dita e djeshme, më 27 korrik, në ndihmë të operacionit për gjetjen dhe identifikimin e trupit të personit të zhdukur.

“Kërkimet janë duke u zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse dhe ekipet profesionale të zhytësve në terren”, thuhet në komunikatën e shoqatës.

Rrethanat e incidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa kërkimet do të vazhdojnë derisa të gjendet trupi i 33-vjeçarit.