Vazhdon bllokada, VV-ja e do Haxhiun kryeparlamentare, partitë tjera jo
“Sa ta kryejmë seancën, se po më duket njëjtë si atë ditë”, ka thënë Memli Krasniqi – Kryetar i PDK-së. Kryetari i PDK-së, në seancë hyri me mendimin se do të dështojë ajo dhe ashtu ndodhi. Seanca e pestë nuk solli freski në qëndrimet e asnjë partie. Për PDK-në Lëvizja Vetëvendosje është fajtore për bllokadën, […]
“Sa ta kryejmë seancën, se po më duket njëjtë si atë ditë”, ka thënë Memli Krasniqi – Kryetar i PDK-së.
Kryetari i PDK-së, në seancë hyri me mendimin se do të dështojë ajo dhe ashtu ndodhi.
Seanca e pestë nuk solli freski në qëndrimet e asnjë partie. Për PDK-në Lëvizja Vetëvendosje është fajtore për bllokadën, dhe i takon ta gjejë zgjidhjen.
Albulena Haxhiu mbetet figurë e papranueshme për ta.
“Do të ishim të gatshëm edhe sot me e shqyrtu një kandidaturë tjetër, jemi të gatshëm mos me pritë 48 orë sepse nuk është obligative me shku 48 orë. Rregullorja thotë jo më vonë se 48 orë, do të kishim me u taku prapë nesër, prapë pasdite, le të sjellin një kandidat a kandidate që vërtetë do të jetë më i pranueshëm për opozitën”, ka thënë Memli Krasniqi – Kryetar i PDK-së.
Për dallim me PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës ka qëndrim të betonuar, as nuk merr pjesë në takime për marrëveshje politike e as nuk e votojnë asnjë kandidat.
“…Ne nuk kemi votë as për partnerët e koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Hykmete Bajrami – Deputete e LDK-së.
Bajrami tha se nesër presin që ta dorëzojnë kallëzimin penal ndaj deputetëve që janë betuar më 27 mars, dhe po vazhdojnë punën si ministra e Kryeministër.
Në anën tjetër gishtin e fajit drejt ish-partive opozitare i pari e drejtoi deputeti Hekuran Murati dhe pas tij qëndrimet i ripërsëriti, Mimoza-Kusari Lila.
“Në rast se do të ndryshonte qëndrimi i subjekteve politike për tu ulur dhe biseduar me kryetarin e LVV-së në frymën e zhbllokimit të situatës dhe rrethanave për konstituimin e organeve të Kuvendit, ne propozimin të cilin e kemi paraqitur po. Por në rast se fillohet me kërkesa apo me propozime të cilat po merren si të mirëqena se mund të ndryshohet kandidatja e LVV-së atëherë jo”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila – Deputete e LVV-së.
Edhe nga ish-partnerët e koalicionit AAK-Nisma, nuk ka ndryshime të qëndrimeve.
“Nëse Vetëvendosje gjen zgjidhje tjetër ta shohim, se si do të ecin më tutke, por do të ishte në interes të tyre që ta propozojnë një kandidaturë unifikuese që të kalojë ky bllokim”, ka thënë Ramush Haradinaj – Kryetar i AAK-së.
“Shpresoj që gjërat do të ndryshojnë në ditët në vijim, vërtetë është pak një lojë nervash, ka rrugën dhe vështirësitë e veta. Unë besoj që në ditët në vijim të gjithë do të angazhohemi të kontribuojmë për të dal nga kjo situatë dhe Kosova t’i fitoj organet e veta…”, ka thënë Fatmir Limaj – Kryetar i NISMA-s.
I pyetur nëse është takuar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, kryetari i Nismës tha se nuk është takuar, por shtoi se për tema nacionale gjithmonë janë për diskutim.
E politikani që po pretendon se i ka 61 vota për t’u bërë Kryeministër, por nuk i ka 61 vota për Albulena Haxhiun u prit në këtë formë nga gazetarët.
Vendosja e kamerave të incizimit dhe mikrofonave në tokë nga mediat, nuk ishte mungesë e gatishmërisë për ta dëgjuar qëndrimin e tij, por shenjë pakënaqësie që po iu shmanget dhe po e injoron interesimin e mediave para e pas secilës seancë konstituive.















