Vazhdon diskriminimi i sportistëve kosovarë, karateistët nuk lejohen të marrin pjesë në Evropian

FKK-ja ka konfirmuar se karateistët kosovarë kanë mbetur jashtë Evropianit për seniorë, që fillon të mërkurën në Guadalajara të Spanjës

Federata e Karatesë së Kosovës të martën mbrëma ka lëshuar një komunikatë, përmes të cilës ka konfirmuar se karateistët kosovarë kanë mbetur jashtë Evropianit për seniorë që fillon të mërkurën në Guadalajara të Spanjës.

Sipas FKK-së, federata spanjolle ka dërguar ftesën zyrtare, por organet shtetërore të Spanjës kanë refuzuar të lëshojnë viza për sportistët kosovarë.

Karateistët kanë udhëtuar me viza të vendeve të tjera e po ashtu me pasaporta të vendeve të tjera. Por telashet kanë vazhduar edhe pas vendosjes në Spanjë.

“Na u komunikua se institucionet spanjolle nuk lejojnë organizatorin që të paraqesë simbolet shtetërore (himnin, flamurin e as mbishkrimin Kosovë) në asnjë prej hapësirave brenda palestrës, përfshirë edhe monitorët në arenë. Këtë informacion nuk e kishim më parë”, thuhet në komunikatën e FKK-së.

Drejtuesit e karatesë kosovare kanë kontaktuar me zyrtarët e federatës evropiane, por ata vetëm kanë shprehur keqardhje që nuk kanë mundësi ta ndryshojnë situatën.

Sipas njoftimit, situata është paraqitur edhe në Kongresin e Federatës Evropiane.

“FKK-ja e indinjuar, por edhe e motivuar për të bërë gjithçka për të ardhmen e karateistëve tanë, kërkon nga të gjithë që të mbështesim garuesit të cilët kanë potencialin e duhur për t’u ngjitur në piedestalin evropian e botëror”, ka shkruar Federata e Karatesë e Kosovës, që ka thënë se çdo veprim e ka bërë në koordinim me MKRS-në.

Për herë të dytë këtë vit, karateistët kosovarë mbesin jashtë Evropianit.

Ata nuk kanë garuar as në Qipro në Evropianin për të rinj, pasi nuk u lejuan simbolet e Kosovës.

Por në vitin 2019 në Evropianin e mbajtur po në Guadalajara të Spanjës, Kosova ishte paraqitur me të gjitha simbolet shtetërore.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika