Vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë këtë të hënë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Seanca gjyqësore pritet të fillojë në ora 09:00. Seancat në gjykimin e Thaçit dhe të bashkakuzuarve rinisën, më 18 mars, me dëshminë e dëshmitarit të 49-të të thirrur nga Prokuroria. Ky ishte […]
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë këtë të hënë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Seanca gjyqësore pritet të fillojë në ora 09:00.
Seancat në gjykimin e Thaçit dhe të bashkakuzuarve rinisën, më 18 mars, me dëshminë e dëshmitarit të 49-të të thirrur nga Prokuroria.
Ky ishte dëshmitar i mbrojtur, dëshmia e të cilit, sipas përmbledhjes që u lexua në sallën e gjyqit, lidhej me një viktimë që ishte vrarë pasi ishte marrë dhe mbajtur i ndaluar nga anëtarët e UÇK-së në zonën e Llapit.
Dëshmitari i 50-të, Klod Kan po ashtu dëshmoi javën e kaluar. Dëshmia e tij lidhej me shkeljet e të të drejtave të romëve në Kosovë, gjatë punësimit të tij në Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve në korrik 1999. Dëshmitarit i bëri pyetje Prokuroria si dhe të katër ekipet e Mbrojtjes.
Po ashtu, ka dëshmuar edhe dëshmitari i 51-të i thirrur nga Prokuroria.
Ky ishte dëshmitar i mbrojtur, vëllai i të cilit, sipas Prokurorisë, u arrestua nga anëtarët e UÇK-së gjatë periudhës përkatëse dhe trupi i të cilit nuk ësht gjetur kurrë.
Dëshmitari i 52-të e filloi dëshminë përmes videolidhjes të martën dhe vijoi të mërkurën me pyetjet nga ekipet e mbrojtjes. Sipas Prokurorisë, ky dëshmitar i mbrojtur është shqiptar i Kosovës që u arrestua dhe u mbajt i ndaluar nga anëtarët e UÇK-së në ose rreth gushtit 1998.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.















