Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë këtë të hënë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Seanca gjyqësore pritet të fillojë në ora 09:00.

Më 28 shkurt, ka mbaruar dëshminë e tij dëshmitari i 48-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin 01140 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar u mor në pyetje nga ZPS-ja, mbrojtja e të akuzuarve, mbrojtja e viktimave dhe trupi gjykues nën masa mbrojtëse si dhe në sesion privat për publikun.

Në seancë private fillon dëshminë dëshmitari i 48-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Gjatë kohës sa seanca ishte publike për pak kohë, dëshmitari ka deklaruara se kur u lirua nga paraburgimi gjendja në Prizren ishte kaos dhe se gjuhej me armë pasi sipas tij kishte civilë të armatosur.

Ai ka thënë se kishte edhe automjete nga Shqipëria që kanë qenë atë kohë në qytet drejtuesit e të cilëve kanë qenë me rroba civile dhe sipas tij gjuanin me armë.

“Kishte edhe automjete nga Shqipëria që erdhën, bërtisnin, qëllonin me armë. Me rroba civile kanë qenë”, ka deklaruar ai.

Më pas, dëshmitarit iu paraqit një video për të cilën i njëjti pohoi se e përshkruan situatën e Prizrenit në mes të qershorit të 1999-tës e cila edhe u pranua në provat materiale.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.