Vazhdon gjykimi për sulmin në Banjskë – dëshmon polici Alban Rashiti
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot po vazhdon gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, që ndodhi në shtator të vitit 2023 dhe ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, tre të dyshuarit që ndodhen në paraburgim, […]
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot po vazhdon gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, që ndodhi në shtator të vitit 2023 dhe ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, tre të dyshuarit që ndodhen në paraburgim, u sollën në seancën gjyqësore të së hënës nën masa të rrepta sigurie.
Në seancën e sotme, që është e dyta me radhë për këtë rast, pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve.
Tashmë ka filluar dëshminë zyrtari policor në Njësinë për ndërhyrje të shpejtë, Alban Rashiti, i cili ishte plagosur në aksion.
Të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq ishin arrestuar pas sulmit që është organizuar nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq.
Në seancën e parë, të mbajtur në prill, ata janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.
Përveç tyre, në këtë rast janë të akuzuar edhe 41 persona të tjerë që ndodhen në arrati, si dhe një person juridik.
Gjykata ka njoftuar se për këta të fundit nuk mund të zhvillohet gjykim në mungesë, për shkak të kufizimeve ligjore.















