Vazhdon numërimi i votave në Shqipëri, PS kryeson në shumicën e bashkive

Deri më tani sipas rezultateve preliminare Partia Socialiste ka marrë 9 bashki, koalicioni “Bashkë Fitojmë” 1 bashki, ndërsa Partia Demokratike ende asnjë

Fotografi ilustruese

Në Shqipëri, një ditë pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, është duke vazhduar procesi i numërimit në pjesën më të madhe të bashkive. Rezultatet e para kanë dalë në 3 bashkitë ku u votua në mënyrë elektronike, Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Të tria bashkitë u fituan nga Partia Socialiste.

Në pjesën më të madhe të bashkive kryesore kryeson Partia Socialiste, por procesi i numërimit vijon ende.

Sipas rezultateve, në Elbasan kandidati i PS-së, Gentian Llataj, fitoi mandatin e dytë, duke mposhtur kundërkandidatin nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi.

Kamza do të drejtohet edhe për katër vjet nga socialisti Rakip Suli, i cili fitoi mbi 60 për qind të votave, duke mposhtur Arjan Hoxhën nga “Bashkë Fitojmë”.

Në Vorë, me mbi 75 për qind të votave të fituara, socialisti Blerim Shera mposhti rivalin nga opozita, Indrit Hoxha.

Numërimi ka përfunduar vetëm në disa bashki të vogla, ndërsa në bashkitë e mëdha është numëruar gjatë gjithë natës dhe vijon ende procesi.

Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në orën 19:00. Në disa qendra ku ka pasur radhë të qytetarëve, votimi ka vazhduar edhe pas orës 19:00.

Dalja në zgjedhje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte rreth 37 %, raporton REL.

Procesi i votimit është përcjellë me disa probleme teknike. Në disa qendra, votimi nisi me vonesë për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërkohë në disa të tjera ka pasur probleme me paraqitjen e komisionarëve, kryesisht të Partisë Demokratike.

Gjithashtu, në mbarë Shqipërinë u shfaqën probleme me pajisjet për identifikimin biometrik, dhe për këtë arsye, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, urdhëroi që identifikimi i votuesve të bëhet manualisht, përkatësisht përmes listës së votuesve.

Identifikimi elektronik i votuesve dështoi në mbi 500 qendra votimi. Edhe vetë kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, nuk arriti të votonte mëngjesin e së dielës për shkak se pajisja identifikuese nuk funksionoi.

Kjo problematikë bëri që partitë politike të akuzonin KQZ-në se krijoi pengesa në procesin e votimit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, ajo e Bashkimit Evropian, Christine Hoffman dhe kryesuesja e vëzhguesve të ODIHR, Audry Glover, vëzhguan nga afër procesin e votimit në disa qendra dhe të hënën pritet një konferencë për mediat e misionit të ODIHR.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në zgjedhjet e 14 majit kishin 3 milionë e 653 mijë persona. Prej këtij numri, 122.545 ishin votues të rinj.

Në garën për drejtimin e 61 bashkive ishin 144 kandidatë. Ndërkaq, për 1.603 ulëse në këshillat bashkiake garuan 23.700 persona. Në zgjedhjet e 14 majit u regjistruan 40 parti dhe koalicione.

Për sigurimin e 5.211 qendrave të votimit, 92 Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe 92 Vendnumërime të Votave, u angazhuan 5.511 punonjës policie në të gjithë Shqipërinë, ndërsa 57 objekte të rëndësishme u ruajtën nga forcat komando.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika